Infeksionet e Covid-19 po rriten përsëri sepse virusi po ndryshon vazhdimisht, duke qëndruar një hap përpara përpjekjeve për ta ndaluar atë. Kështu tha një zyrtar i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
“Arsyeja pse kemi pasur një rritje është se ai është ndryshuar përsëri dhe është bërë shumë i zgjuar për ne.”- tha Dr. David Nabarro, i dërguari special i OBSH-së, në një intervistë me Sky News. “Ai mund të kalojë mbrojtjen tonë imune, dhe kjo është arsyeja pse numrat po rriten.”
Nabarro tha se njerëzit kanë ndaluar marrjen e masave paraprake kundër përhapjes së Covid-19, siç është vendosja e maskave të fytyrës, e cila po kontribuon në rritjen e infeksioneve.
“Këshilla ime për të gjithë është ju lutem, ky virus nuk është larguar. Nuk po vret kaq shumë njerëz, por është vërtet i pakëndshëm, veçanërisht nëse sëmureni gjatë me Covid.”-tha ai.
Nabarro i bëri komentet dy ditë pasi drejtori i OBSH-së u bëri thirrje qeverive në mbarë botën që të kthejnë detyrimin e vendosjes së maskave dhe distancimit social.
“Virusi po funksionon lirshëm dhe vendet nuk po e menaxhojnë në mënyrë efektive sëmundjen.”– u tha gazetarëve në një konferencë shefi i OBSH-së, Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus.