Studiuesi Auron Tare deklaroi sot se Shqipëria e ka humbur njëherë e mirë mundësinë për turizmin elitar.
I ftuar në emisionin Vetting në SCAN Tv Tare tha se edhe pse mundësitë kanë qenë shumë të mira për të bërë turizëm elitar, kjo gjë nuk mund të bëhet më.
Ai theksoi se në Shqipëri ka fituar babëzia.
Sipas Tares turizmi elitar nuk mund të bëhet më pasi nuk ka një strategji për këtë, nuk ka asnjë koncept zhvillimi dhe është e pamundur prishja e kilometrave të tëra me ndërime kaotike.
“Ndryshimi cilësor vjen në një kohë të gjatë e do një kulturë të zhvilluar të shtrirë në kohë, nuk mund të ndryshojë menjëherë. Cilësia do jetë njësoj si vitin e kaluar. Nuk mund të jemi konkurrues me vendet e rajonit sepse nuk ofrojmë të njëjtën cilësi për të njëjtin çmim. Shqipëria ende nuk e di ku do shkojë më turizmin, si në çdo fushë tjetër. Kemi dalë të luajmë e duam të shkojmë në kategorinë e parë po këpucët i kemi të NISH Gomës së Durrësit, topat e qepura me dorë, fushën me gropa e duam të luajmë me Liverpulin. Shqipëria e ka humbur me kohë trenin për turizmin elitar. Ai mund të bëhej kur vendi i hap pas vitit 1990 e kishte fatin e madh të hynte në lojën e turizmit e fundit dhe të mësonte shumë nga gabimet që kishin bërë vendet e tjera mesdhetare. Mund të merrte më të mirën e mundshme. Por triumfoi babëzia dhe turizmi shqiptar është në këtë pikë që është sot. Gabimet që janë bërë në Shqipëri janë të parikuperueshme sepse duhet të prishësh hapësira të mëdha, kilometra të tëra ndërtime kaotike në bregdet. Gjë e pamundur.” – tha Tare.