Vendosni fjalën kyçe....

Ushtruan dhunë ndaj të arrestuarit, pezullohen nga detyra tre efektivë të “Shqiponjave” në Durrës


Tre efektivë të forcave “Shqiponja” janë pezulluar nga detyra, pasi akuzohen se ushtruan dhunë ndaj një të shoqëruari në ambientet e policisë së Durrësit.

Hetimet ndaj tre efektivëve me inicialet B. Gj., H. H., dhe R. H. kanë nisur pas kallëzimit të kryer nga shtetasi me inicialet A. K.

Ky i fundit me 6 nëntor të vitit 2021 është shoqëruar në komisariat dhe gjatë kohës që ka qëndruar në dhomat e sigurisë, thotë se punjonjësit e policisë kanë ushtruar dhunë ndaj tij.

Dhuna është filmuar nga kamerat e sigurisë së Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës.

NJOFTIMI I POLICISË

Drejtoria Rajonale e AMP Durrës ka zbatuar urdhrin e Prokurorisë për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, e cila ka caktuar masën e sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj tre efektivëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës.

Me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës janë pezulluar plotësisht nga ushtrimi i detyrës punonjësit e policisë:

– Inspektore B. GJ., me detyrë Trupë Shërbimi në Sektorin e Forcës së Posacme “Shqiponja” në DVP Durrës.

– Inspektor H. H., me detyrë Trupë Shërbimi në Sektorin e Forcës së Posacme “Shqiponja” në DVP Durrës

– Inspektor R. H., me detyrë Trupë Shërbimi në Sektorin e Forcës së Posacme “Shqiponja” në DVP Durrës.

Hetimet ndaj punonjësve të mësipërm janë zhvilluar nga Drejtoria Rajonale e AMP-së Durrës, pas kallëzimit të kryer nga shtetasi A. K., mbi dyshimet për kryerjen e veprës penale “Kryerja e veprimeve arbitrare”, parashikuar nga neni 250 i Kodit Penal.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi A. K. është shoqëruar më datë 06.11.2021 dhe gjatë kohës që ka qëndruar në dhomat e sigurisë, punjonjësit e policisë të mësipërm kanë ushtruar dhunë ndaj tij, veprime arbitrare që evidentohen edhe nga këqyrja e pamjeve filmike të ambienteve të sigurisë së DVP Durrës.

AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.