Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Aldo Brumçi ka dalë në një deklaratë për mediet nga selia blu, lidhur me çmimet e naftës.
Uljen prej dy lekësh të çmimit të naftës, ai e konsideron jo ulje, por “shuplakë” për konsumatorët shqiptarë. Kjo sepse sipas tij rënia globale e çmimeve të karburanteve në tregun ndërkombëtar nuk është reflektuar në çmimet e Bordit të Transparencës.
“Bordi i Transparencës e ka ulur çmimin e naftës në vend nga 240 në 238 lekë për litër.
Dylekëshi i bordmenëve të qeverisë dhe oligarkisë nuk është ulje, por një shuplakë për konsumatorin shqiptar.
Në bursën ndërkombëtare nafta ka shkuar në 95 dollarë për fuçi.
Kjo rënie globale nuk duket askund në çmimin e Bordit të Transparencës.
Të vetmet raste kur çmimet në Shqipëri lëvizin, është kur nafta në tregjet ndërkombëtare rritet.
Standardi i përdorur nga grosistët, i lejuar dhe bekuar nga qeveria, është tregues i talljes dhe babëzisë me qytetarin.”- tha Bumçi.
Më pas Bumçi kërkoi nga qeveria të hiqen Bordet e Transparencës, pasi sipas tij nuk shërbejnë për gjë tjetër, veç si shfajësim i qeverisë për abuzimet me çmimet e larta të hidrokarburve.
“Partia Demokratike bën thirrje edhe njëherë që bordet të tërhiqen, duke mos i dhënë rast Edi Ramës t’i përdorë si mekanizëm propagande.
Bordet nuk shërbejnë për gjë tjetër, veç si shfajësim i qeverisë për abuzimet me çmimet e larta të hidrokarburve.
Çdo ditë që kalon e bën Bordin e transparencës bashkëpunëtor në vjedhje dhe në varfërimin e shqiptarëve.
Mosreflektimi i uljes së naftës në bursa në tabelat e çmimeve të karburanteve në vend, është shenjë se Bordi nuk bën transparencë, por shërben si gjethe fiku.
Nuk i mbron qytetarët, por sajdis qeverinë dhe oborrin e biznesit kryeministror.
Me naftën, ushqimet, pasigurinë e jetës dhe humbjen e shpresës, Shqipëria është një vend në rrezik.
Nuk duhet të largohen shqiptarët nga vendi, por rreziku.”- tha ish-deputeti demokrat.