Një nga çështjet që presidenti Ilir Meta ka promovuar më së shumti ditët e fundit është dhurimi i gjakut për personat që vuajnë nga talasemia.
Ai ka publikuar një foto me aktivisten e Aleancës për Dhurimin e Gjakut Ermela Zenelaj që prej vitesh vuan nga kjo sëmundje. Meta jep lajmin se falë dhuruesve të gjakut, Zenelaj ka kaluar çdo sfidë dhe tanimë është bërë nënë e një fëmije.
“Ermela Zenelaj lufton prej 27 vitesh me talaseminë.
Falë dhuruesve vullnetarë të gjakut ajo ka kapërcyer çdo sfidë dhe tani sapo është bërë nënë e një vogëlushi të mrekullueshëm.
Ajo është mbesa e Musa Zenelajt, i cili ia kushtoi jetën e tij fushatës për dhurimin e gjakut ndaj edhe ne do ta kujtojmë me nderim gjithmonë!
DHURONI GJAK, DHURONI SHPRESË, SHPËTONI JETË!”– shkruan Meta.
Musa Zenelaj njihet për përpjekjet e tij shumë vjeçare për të ndihmuar mbesën e tij që kishte lindur me talasami dhe pacientë të tjerë, duke u aktivizuar në fushata sensibilizimi për dhurimin e gjakut, dhe madje u bë dhe Kryetar i Shoqatës së Talasemikëve në Shqipëri.
Para dy vitesh, Meta kujtonte të ndjerin duke thënë: “Kur e dëgjova për herë të parë të fliste për problemet e fëmijëve me talasemi mendova se ishte një mjek i dalë në pension që ndihmonte si vullnetar. Por më pas mësova se Zenelaj nuk kishte patur asnjë lidhje me mjekësinë, por mbesa e tij kishte lindur me talasemi dhe ai nga halli ishte bërë më mjek se mjekët.”