Vendosni fjalën kyçe....

Shënjestra e celulës terroriste në Shqipëri ishte numri dy i MEK – Detaje të reja nga hetimet e SPAK-ut


Zbulohet kush ishte shënjestra e dytë e celulës terroriste, që po planifikonte një sulm ndaj anëtarëve të MEK-ut, të vendosur në zonën e Manzës, në Shqipëri.

Sipas televizionit “News 24”, ai ishte Mehdi Abrischamchi, i njohur ndryshe si Bahman Tehrani. Ose numri dy i MEK-ut.

“SPAK po kryen hetime prej katër vitesh për një celulë, që po planifikonte sulm ndaj MEK në Shqipëri. Më 2019 godit një celulë terroriste. Neës24 ka zbuluar dosjen e plotë hetimore, ku rezulton se celula terroriste me shumë gjasë do të kishte në shënjestër numrin 2 të MEK, Mehdi Abrishamshi. Sipas të dhënave të SPAK, rezulton se ai ka qëndruar në Shqipëri për një kohë të gjatë, ku dyshohet se ai mund të ishte në shënjestër të celulës. Rezulton se celula terroriste kishte në përbërje të saj jo vetëm anëtarë të Gardës iranian, por edhe ish-anëtarë të MEK, që dyshohet se jepnin informacion. Sipas të dhënave të hetimit, rezulton se anëtarët e celulës bënin vëzhgime të anëtarëve të MEK në Shqipëri.”- tha gazetarja Klodiana Lala.

Ajo zbardhi dhe mesazhet e anëtarëve të celulës terroriste, të pasqyruara në dosjen hetimore të SPAK-ut.

Në dosje thuhet se disa individë që flasin gjuhën turke, rezultojnë se kanë mbërritur në Tiranë, ku janë takuar me dy makina dhe kanë pasur si qëllim përgatitjen e sulmit. Takimet ata i bënin në dy hotele të njohura në Tiranë.

“Kam dy ditë në Tiranë, do ta kryejmë punën e djalit të Hajit Pejman. Ne do lëvizim në drejtimin që na keni thënë ju. Po presim lajme prej teje vëlla. Jemi 4 veta që kemi ardhur këtu me dy makina. Kemi këtu dy ditë dhe shokët e tjerë i kemi sistemuar në hotel. Unë dhe shoku im jemi në hotelin tjetër.”- thuhej në një nga mesazhet e këmbyera.