Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas votimit në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut për të miratuar propozimin francez, duke hapur kështu rrugën e integrimit edhe për Shqipërinë.
Në një postim në “Facebook”, Meta thotë se pas këtij zhvillimi të rëndësishëm, vendimmarrësit shqiptarë duhet të kthjellohen mirë për përgjegjësitë që kanë në ndjekjen e politikave të integrimit.
“Përshëndes votimin pro-formulës Makron nga Parlamenti i Maqedonisë së Veriut, që çel rrugën e negociatave të anëtarësimit në BE javën e ardhshme për të dy vendet tona.
Përgëzoj faktorin politik shqiptar, që gjithmonë mbetet besnik i orientimit europian, vendimtar për paqen, sigurinë dhe bashkëjetesën ndëretnike.
Vendimi i Këshillit Europian që do të merret pas disa ditësh duhet të kthjellojë mirë çdo vendimmarës këtu për përgjegjësitë që ka në ndjekjen e politikave që Shqipërinë e bëjnë më europiane, më demokratike dhe më shpresëdhënëse.”- shkruan Meta.
Ky reagim vjen pasi këtë të shtunë, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi propozimin francez për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Bullgarinë, me 68 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Deputetët e opozitës nuk morën fare pjesë në votim.