Vendosni fjalën kyçe....

Birrë për vaj luledielli? Lokali në Gjermani bën ofertën e çuditshme për klientët


Një pijetore në Mynih ka gjetur një mënyrë të re për të kapërcyer mungesën e vajit të gatimit në Evropë duke i lejuar klientët të paguajnë për birrën e tyre me vaj luledielli për të siguruar rezerva të shumta për skuqjen e salçiçeve.

Me Ukrainën dhe Rusinë që përbëjnë rreth 80% të eksporteve globale të vajit të farave të lulediellit, shumë vende evropiane, përfshirë Gjermaninë, kanë parë pakësimin e furnizimeve që kur Rusia sulmoi fqinjin e saj në shkurt.

Menaxherët në fabrikën e birrës ‘Giesinger’, një fabrikë birre dhe pijetore në qytetin jugor të Mynihut, mendojnë se mund ta kenë përgjigjen, duke u ofruar adhuruesve të birrës një litër nga birra e tyre e preferuar për të njëjtën sasi vaji luledielli.

“E gjithë kjo doli sepse thjesht na mbaroi vaji në kuzhinë dhe kjo është arsyeja pse duhet të jemi shpikës.” – tha menaxheri i pijetores, Erik Hoffmann, për Reuters.

Shishet me vaj rap dhe luledielli shpesh mungojnë në raftet e supermarketeve në Gjermani që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia dhe shumë dyqane e racionojnë numrin e shisheve për klient.

“Marrja e vajit është shumë e vështirë. Nëse keni nevojë për 30 litra në javë dhe merrni vetëm 15, në një çast nuk do jeni në gjendje të skuqni më një salçiçe.” – tha Hoffmann, duke shtuar se klientët kanë ndërruar 400 litra vaj me 400 litra birrë deri tani.

Ndërsa një litër birrë kushton rreth 7 euro (7 dollarë) në baret gjermane, një shishe një litërshe vaj luledielli shitet me pakicë për rreth 4.5 euro, duke e bërë ofertën joshëse për shumë klientë.

Klienti Moritz Baller bleu 80 litra vaj luledielli në Ukrainë gjatë një udhëtimi për të ofruar ndihma humanitare, duke e ndërruar ngarkesën e tij me tetë arka birrë për festën e tij të ditëlindjes.