Një prezantuese e BBC-së ka nxitur debat në Mbretërinë e Bashkuar duke kritikuar mungesën e perceptuar të larmishmërisë në ekipin kombëtar të futbollit të femrave të Anglisë në Euro 2022.
Turneu aktualisht po zhvillohet në tokën angleze ku po luhen ndeshjet në grup.
Pas rekordit 8-0 të Anglisë ndaj Norvegjisë këtë javë, prezantuesja skoceze Eilidh Barbour zgjodhi të mos ndalet te fitorja por në vend të kësaj u përpoq të merrej me përbërjen racore të skuadrës së Anglisë.
“Ishte një fitore historike me tetë gola për Anglinë mbrëmë pasi luaneshat siguruan vendin e tyre në çerekfinale.” – pranoi Barbour.
“Por të gjithë 11 lojtarët e ekipit të parë dhe pesë zëvendësuesit që dolën në fushë ishin të gjithë të bardhë. Kjo tregon për mungesën e larmishmërisë në futbollin e femrave në Angli.” – tha ajo, përpara se të prezantonte një segment mbi larmishmërinë racore të udhëhequr nga ish-lojtari me ngjyrë i Arsenalit dhe Anglisë, Alex Scott dhe i quajtur “Futbolli përtej kufijve”.
Vërejtjet e Barbour janë diskutuar gjerësisht në shtypin britanik dhe në mediat sociale, me një gazetar të Daily Mail që akuzoi BBC-në se ka nisur ‘një tjetër përpjekje për të nxitur ndarjet racore në këtë vend’.
“Sigurisht, çdo trajner menaxher duhet të zgjedhë lojtarët më të mirë për ekipin pavarësisht nga ngjyra e lëkurës apo përkatësia etnike.” – tha ai.
Një raport i Football365 kërkoi shpjegime për mungesën e perceptuar të përfaqësimit që nxori disa fakte dhe vëzhgime interesante.
Për shembull, 43% e lojtarëve që aktualisht luajnë në Premier League për meshkuj janë me ngjyrë, ndërsa në futbollin e femrave kjo bie në më pak se 10% ose 29 lojtarë nga 300 gjithsej.
Komentet e Barbour erdhën vetëm disa ditë përpara se BBC News duhej të kërkonte falje në transmetim për shfaqjen e gabuar të një fotografie të yllit me ngjyrë të Chelsea, Raheem Sterling, kur transmetonte një segment në lidhje me një lojtar mashkull të paidentifikuar në Premier League, i cili kohët e fundit është arrestuar me dyshimin se ka kryer krime seksuale.