Kompania Mars Inc. është paditur nga një konsumator i cili pretendon se karamelet Skittles janë të papërshtatshme për t’u ngrënë sepse përmbajnë një toksinë të njohur, që kompania ishte zotuar gjashtë vjet më parë për ta hequr dalëngadalë.
Në një padi të propozuar kolektive të paraqitur të enjten në Oakland, Kaliforni, Jenile Thames akuzoi kompaninë Mars se po rrezikonte ngrënësit e Skittles duke përdorur ‘nivele të rritura’ të dioksidit të titanit, ose TiO2, si një shtesë ushqimore.
Padia tha gjithashtu se dioksidi i titanit do ndalohet në Bashkimin Evropian muajin e ardhshëm pasi një rregullator i sigurisë ushqimore atje e konsideroi atë të pasigurt për shkak të ‘gjenotoksicitetit’ ose aftësisë për të ndryshuar ADN-në.
“Një konsumator i arsyeshëm do priste që Skittles të mund të blihen dhe konsumohen në mënyrë të sigurt. Megjithatë, produktet nuk janë të sigurta.” – thuhej në ankesë. Padia kërkon dëme të paspecifikuara për mashtrime dhe shkelje të ligjeve të Kalifornisë për mbrojtjen e konsumatorëve.
Mars nuk iu përgjigj menjëherë të premten kërkesave për koment.
Kompania me bazë në McLean, e cila është private, ishte zotuar në shkurt 2016 të heqë ngjyrat artificiale nga produktet e saj ushqimore gjatë pesë viteve të ardhshme.
Në tetor 2016, ajo konfirmoi se dioksidi i titanit ishte ndër ngjyruesit që do hiqen, sipas Qendrës jofitimprurëse për Sigurinë Ushqimore, duke cituar një email nga kompania Mars.
Sipas padisë, dioksidi i titanit përdoret në bojë, ngjitës, plastikë dhe materiale për çati dhe mund të shkaktojë dëmtime të ADN-së, trurit dhe organeve, si dhe lezione në mëlçi dhe veshka.