Vendosni fjalën kyçe....

Komisioni i BE-së padit Hungarinë për ligjin LGBT


Komisioni Evropian e ka referuar Hungarinë në Gjykatën e Drejtësisë për shkeljet e dyshuara të të drejtave LGBT dhe lirisë së fjalës. Lëvizja u njoftua të premten si pjesë e publikimit të rregullt të vendimeve për shkelje nga Komisioni.

Budapesti ishte në shënjestër për Aktin e tij të diskutueshëm për Mbrojtjen e Fëmijëve, një ligj i krijuar fillimisht për të trajtuar pedofilinë dhe mbrojtur mirëqenien e fëmijëve, sipas autoriteteve. Ligji u ndryshua vitin e kaluar për të ndaluar shfaqjen e përmbajtjeve homoseksuale ose ndryshimin e gjinisë në programet arsimore për fëmijët nën 18 vjeç ose në mediat që prekin të miturit.

Ndërsa amendamenti është kritikuar ashpër nga grupe të shumta të të drejtave si diskriminues, partia në pushtet e Hungarisë ‘Fidesz’ këmbënguli se ishte e nevojshme për të mbrojtur fëmijët nga pedofilia.

“Mbrojtja e fëmijëve është një prioritet absolut për BE-në dhe shtetet e saj anëtare. Megjithatë, ligji hungarez përmban dispozita të cilat nuk justifikohen në bazë të promovimit të këtij interesi themelor ose janë joproporcionale për të arritur objektivin e deklaruar.” – tha Komisioni në një deklaratë, duke pretenduar se legjislacioni shkel rregulla të shumta të BE-së.

Ndërsa Brukseli kishte ngritur më parë shqetësimet e tij për ligjin me Budapestin, ky i fundit nuk arriti të vepronte, vuri në dukje Komisioni. Tani, Bruskeli e ka çuar Hungarinë në gjykatë për legjislacionin i cili dyshohet se ‘diskriminon njerëzit në bazë të orientimit të tyre seksual dhe identitetit gjinor’.

Komisioni paditi gjithashtu Budapestin për një çështje të veçantë, lidhur me një shkelje të pretenduar të lirisë së fjalës. Çështja rrjedh nga një vendim i Këshillit Hungarez të Medias për të hedhur poshtë aplikimin e një radiostacioni lokal të quajtur Klubradio për të përdorur një frekuencë radio pasi të skadonte licenca e tij.

Stacionit me prirje liberale iu mohua licenca për shkak të shkeljeve të shumta të supozuara të ligjeve të medias të vendit në fund të vitit 2020 dhe që atëherë ka transmetuar vetëm në internet. Hungaria, e cila ka pasur përplasje të vazhdueshme me Brukselin për çështje të supozuara me lirinë e fjalës dhe sundimin e ligjit, ishte gjithashtu në shënjestër në paketën e re të shkeljeve për çështjet që lidhen me cilësinë e ujit.

Komisioni i bëri thirrje Budapestit që të zbatojë rregullat e BE-së për ujin e pijshëm dhe të sigurohet që uji i tij të jetë ‘i shëndetshëm dhe i pastër’. Hungaria ‘tani ka dy muaj për t’u përgjigjur dhe për të marrë masat e nevojshme’, ose mund të përballet me një çështje tjetër gjyqësore, paralajmëroi Komisioni.