Vendosni fjalën kyçe....

Pengesat e punësimit



A është gati të ftohet tregu i vrullshëm i punës i kompanive të mëdha teknologjike? Gjigantët e industrisë po ngadalësojnë punësimin e tyre
.

“A mund ta mbaj monitorin dhe mauzin?” pyeti së fundmi një punonjës teknologjie i pushuar nga puna, në Blind, një platformë anonime e mediave sociale, ku teknikët flasin për përvojat me punëdhënësit e tyre.

Dikur pyetjet në këtë platformë lidheshin me se sa paguante Meta ose çfarë përfitimesh ofronte Apple. Por ndërsa gjigantët amerikanë të teknologjisë po përballen me pasiguritë e zinxhirit të furnizimit, një recesion të afërt dhe rënie të çmimeve të aksioneve, shumë përdorues kanë frikë se tregu i zhurmshëm i teknologjisë, po ftohet, shkruan The Economist.

Shenja e parë e telasheve erdhi më 28 prill. Brian Olsavsky, shefi financiar i Amazon, tha se magazinat e titanit të tregtisë elektronike ishin të mbingarkuara me punonjës, që në total, i kishin kushtuar kompanisë rreth 2 miliardë dollarë (9% e fitimit operativ) vitin e kaluar.

Një memorandum i publikuar një javë më vonë nga Meta, kompania mëmë e Facebook, thoshte se kompania do të pezullonte punësimet e reja në shumicën e divizioneve. Emra të tjerë të mëdhenj të teknologjisë, si Microsoft, Nvidia, Snap dhe Uber, kanë dhënë sinjale të ngjashme. Deri tani, këtë vit, kompanitë teknologjike të listuara në bursë me një vlerë totale prej 3.4 trilionë dollarësh, kanë njoftuar ndalimin e punësimit ose shkarkimet nga puna.

Këto trazira vijnë pas një bumi të zgjatur në fushën e punësimit të teknologjisë. Gjatë viteve 2010, numri i pozicioneve në industrinë e teknologjisë së Amerikës, u rrit mesatarisht me 4.4% në vit, duke u trefishuar, sipas një studimi nga Instituti Brookings. Pandemia e përshpejtoi këtë prirje.

Puna, koha e lirë dhe blerjet u zhvendosën të gjitha online, duke rritur kërkesën për shërbime dixhitale. Vitin e kaluar, njoftimet për punët e teknologjisë u rritën me mbi 80% krahasuar me vitin 2020, vëren Amit Bhatia, bashkëthemelues i datapeople.io, shoqëri kërkimore.

Kërkesa për aftësi teknologjike u rrit gjithashtu jashtë sektorit, pasi kompanitë zhvendosën operacionet e tyre në Cloud dhe shtuan sigurinë kibernetike, duke e rritur jashtëzakonisht kërkesën. Numri i aplikimeve për çdo hapje të re në industrinë e teknologjisë, ra me një të katërtën në vitin 2021.

Pjesa më e madhe e rritjes së vendeve të punës erdhi nga firmat startup dhe kompanitë e sapolistuara. Por gjigantët e teknologjisë gjithashtu po shtonin shumë punonjës. Midis viteve 2020 dhe 2021, Amazon, Meta dhe Netflix e shtuan stafin e tyre me kohë të plotë me mbi një të pestën. Listimet në Microsoft dhe Alphabet u rritën përkatësisht me 11% dhe 16%. Kjo krahasohet me një mesatare prej 3% për firmat në indeksin S&P 500 të kompanive më të mëdha të Amerikës.

Deri tani, tepricat e fuqisë punëtore, janë kufizuar kryesisht në bizneset fillestare, si Getir, një aplikacion turk për shpërndarjen e ushqimeve dhe firmat e reja publike si Peloton, prodhues i biçikletave për stërvitje. Shkarkimet nga puna në kompanitë e njohura të teknologjisë, kanë qenë modeste.

Më 17 maj, Netflix pushoi nga puna 150 punonjës. Javën në vijim, doli lajmi se kompania e pagesave PayPal, po shkurtonte rreth 80 vende pune. Në të dyja rastet, kjo përbënte afërsisht 1% të fuqisë së tyre punëtore.

Ekipet me rëndësi strategjike mbrohen nga masat. Ngadalësimi i punësimit në Microsoft zbatohet për njësitë e tij softuerike, si Windows dhe Teams, por jo për biznesin në Cloud, me rritje të shpejtë. Shkarkimet nga puna në PayPal prekën stafin që kryente kërkime mbi teknologjitë në zhvillim, si llogaritja kuantike, dhe jo në funksionet kryesore.

Shumë prej punonjësve të shkarkuar nga Netflix, kanë punuar në marketing dhe jo në transmetim. Kërkesa për aftësitë më të çmuara, si të kuptuarit e shkencës së përparuar të të dhënave, është aq e lartë, sa që njerëzit që i zotërojnë ato, do të kërkohen edhe në një periudhë recesioni.

Në kompanitë e mëdha të teknologjisë, punonjësit e talentuar të cilët kanë lënë të kuptohet se duan të largohen, po marrin ende kundër-oferta bujare, thotë Greg Selker nga Stanton Chase, firmë kërkimore ekzekutive.

Më 16 maj, Microsoft tha se do të rriste buxhetin për rritjen e pagave për disa punëtorë, në një përpjekje për të ndalur largimin e talenteve. Amazon bëri diçka të ngjashme disa muaj më parë. Rekrutuesit e përqendruar te teknologjia, thonë se biznesi është i guximshëm.

Në të vërtetë, numri i njoftimeve për punë në industrinë e teknologjisë në maj dhe në prill, ishte shumë më i lartë se në të njëjtën kohë të vitit të kaluar, vëren Bhatia.

Disa analistë argumentojnë se industria e teknologjisë është më e madhe, më e pjekur dhe më e qëndrueshme se në vitet 1990, gjë që mund t’i mbrojë punëtorët nga dhimbja e dështimeve të mëparshme. Të tjerë vërejnë se pas shpërthimit të flluskës dot-com në vitin 2000, puna teknologjike nisi të zbehej vetëm një vit pas rrëzimit të bursës. Një gjë është e sigurt: niveli i ankthit i postimeve në Blind, do të qëndrojë i lartë për ca kohë.

VINI RE: Ky artikull është pronë inteletuale e Monitor.al