Vendosni fjalën kyçe....

Rrëzohet aeroplani ukrainas i mallrave në Greqi, dyshohet se transportonte lëndë të rrezikshme (Video)


Një aeroplan mallrash Antonov i operuar nga një linjë ajrore ukrainase u rrëzua të shtunën pranë qytetit të Kavala në Greqinë veriore, thanë autoritetet. Banorët lokalë raportuan se panë një top zjarri dhe dëgjuan shpërthime për dy orë pas përplasjes.

Autoritetet greke të Aviacionit Civil thanë se fluturimi ishte nisur nga Serbia për në Jordani. An-12, një aeroplan turboprop i ndërtuar nga Bashkimi Sovjetik, operohej nga transportuesi i ngarkesave ‘Meridian’.

Mediat greke raportuan se në aeroplan ishin tetë persona dhe se ai mbante 12 ton ‘materiale të rrezikshme’, kryesisht eksplozivë. Por zyrtarët lokalë thanë se nuk kishin informacion specifik mbi ngarkesën.

Si masë paraprake për shkak të një erë të fortë që dilte nga vendi i përplasjes, një komitet koordinues i përbërë nga zyrtarë bashkiakë, policie dhe zjarrfikëse u tha banorëve të dy lokaliteteve më afër vendit të përplasjes që të mbanin dritaret e tyre të mbyllura gjatë gjithë natës, që të mos largoheshin nga shtëpitë dhe të mbanin maska. Autoritetet thonë se nuk e dinë nëse ka pasur kimikate të rrezikshme në aeroplan.

Autoriteti i Aviacionit Civil të Greqisë tha se piloti arriti të lajmëronte autoritetet për një problem në një nga motorët e avionit dhe atij iu dha zgjedhja e uljes në aeroportin e Selanikut ose të Kavalës dhe ai zgjodhi Kavalën, e cila ishte më afër, duke thënë se kishte për të bërë një ulje emergjente.

Komunikimi me aeroplanin u ndërpre pothuajse menjëherë më pas. Avioni u rrëzua rreth 40 kilometra (25 milje) në perëndim të aeroportit.

“Dëgjuam shpërthime deri pak minuta më parë.” – tha Filippos Anastassiadis, kryebashkiak i komunës së Paggaio, për Associated Press pak më shumë se një orë pas aksidentit.

Vendasit raportuan se kishin parë një top zjarri dhe një shtëllungë tymi përpara përplasjes.

ERT raportoi se ekspertët e ushtrisë dhe eksplozivëve ishin rrugës për në vendngjarje, e vendosur në tokë bujqësore pranë dy fshatrave që janë pjesë e komunës Paggaio. Por ata nuk pritet të fillojnë punën para agimit. Ekspertët nga Komisioni i Energjisë Atomike të Greqisë do të bashkohen me ta.

Shërbimi zjarrfikës ka rrethuar zonën në një rreze prej rreth 400 metrash. Zona e rrethuar do të zgjerohet në agim, thanë zyrtarët e shërbimit zjarrfikës.