Vendosni fjalën kyçe....

Spanja do bëjë disa udhëtime me tren falas nga shtatori


Çmimet e transportit publik në shërbimin shtetëror në të gjithë Spanjën tashmë janë ulur përgjysmë në përgjigje të rritjes së shpejtë të çmimeve të energjisë dhe inflacionit. Tani qeveria ka shpallur zbritje të tjera 100%.

Që nga shtatori, qytetarët do të mund të udhëtojnë nëpër trena të ndryshëm të operuar nga rrjeti publik i trenave Renfe krejt falas.

Kryeministri i Spanjës Pedro Sanchez ka njoftuar se biletat e udhëtimeve për trenat e operuar nga shërbimet publike të rrjetit Cercanías, Rodalies dhe Media Distance (e barasvlershme me udhëtimet lokale dhe të largësive të mesme) do jenë pa pagesë nga 1 shtatori deri në fund të këtij viti.

Sipas televizionit publik TVE, masa përjashton biletat e një udhëtimi ose udhëtimet në lagësi të gjata. Biletat me shumë udhëtime përfshijnë të paktën 10 udhëtime vajtje-ardhje.

“Kjo masë nxit maksimalisht përdorimin e këtij lloji të transportit publik kolektiv për të garantuar udhëtimin e nevojshëm ditor me një mjet transporti të sigurt, të besueshëm, të rehatshëm, ekonomik dhe të qëndrueshëm, në kushtet e jashtëzakonshme të rritjes së vazhdueshme të çmimeve të energjisë dhe karburanteve.” – thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Transportit.

Skema Renfe u njoftua menjëherë pasi qeveria spanjolle u zotua për një ulje prej 50% të tarifave të transportit publik.

Spanja nuk është i vetmi vend evropian që ka marrë masa për të ulur kostot e transportit publik.

Muajin e kaluar, Gjermania nxorri në përdorim një biletë mujore të pakufizuar të transportit publik prej 9 eurosh që mund të përdoret në transportin lokal dhe rajonal në të gjithë vendin. Marrëveshja, pjesë e një pakete qeveritare të ndihmës energjetike, është planifikuar të zgjasë deri në fund të gushtit.

Në fund të vitit 2021, Austria prezantoi një ‘biletë klimatike’ me zbritje të madhe të vlefshme në të gjitha mënyrat e transportit publik në vend, me qëllimin nxitjen e njerëzve që të lënë makinat e tyre në shtëpi.

‘Klimaticket’ kushton vetëm 1,095 euro në vit, që shkon në rreth 3,50 dollarë në ditë.