Të tjera hollësi janë zbuluar nga masakra e ndodhur pasditen e sotme në Fushë Krujë ku pas një atentati mafioz me armë u ekzekutuan të rinjtë Brilant Martinaj, Diklen Vata e Besmir Hoxha.
Mes autorëve dhe viktimave nuk ka pasur shkëmbim zjarri siç u dyshuar më herët ndërsa mjeti është shkrumbuar për shkak të intensitetit të lartë të plumbave që janë qëlluar ndaj makinës me të cilën udhëtonin tre të rinjtë, ka deklaruar gazetarja Klodiana Lala.
Martinaj, i cili është kushëri i Ervis Martinajt dhe dy shokët e tij ishin nisur nga Rinasi drejt zonës së Fushë Kuqes ku edhe banojnë.
Në timonin e mjetit tip ‘VW Passat’ ka qenë Besmir Hoxha , në vendin e parë Brilant Martinaj ndërsa në ulësen e pasme ka qenë Diklen Vata. Ky i fundit ishte fqinj dhe mik i afërt i Martinajt dhe ishte punësuar prej tij si truproje, shkruan BW.
Po kështu edhe drejtuesi i mjetit Besmir Hoxha njihej si një nga personat më të afërt të Martinajt. Mjeti i autorëve i ka prerë rrugën mjetit të tre të rinjve në vendin e njohur si Mbikalimi i Fushë Krujës dhe më pas dy autorët e dyshuar kanë hapur zjarr me breshëri duke gjuajtur mbi 50 plumba ndaj makinës me të cilët udhëtonin viktimat.
Vata, i cili ka qenë i ulur në pjesën e pasme u përpoq të dalë nga mjeti por u qëllua nga autorët në vend. Pas krimit në Larushk u gjet një mjet i djegur brenda të cilit u gjetën tre armë zjarri automatike, njëra prej të cilave e papërdorur.
Dyshohet se shënjestër e atentatit ka qenë Brilant Martinaj. Ky i fundit ka qenë i dyshuar për vrasjen e efektivit të policisë Xhulio Prela, krim i ndodhur më 5 dhjetor 2020 në rrugën Lezhë-Shkodër por gjykata e Lezhës nuk e gjeti fajtor.
Po kështu ai dyshohet si i përfshirë në vrasjen e ish-efektivit të policisë Xhelal Reçi në Kurbin më 1 nëntor 2021, familje me të cilën Martinajt ishin në konflikt.
Dyshimet e para për masakrën janë larje hesapesh mes grupeve të ndryshme kriminale në vend ose gjakmarrja.