Vendosni fjalën kyçe....

“Epokës së dominimit perëndimor i ka ardhur fundi” – Tony Blair


Për herë të parë në historinë moderne, Lindja mund të jetë në kushte të barabarta me Perëndimin, teksa dominimit global i SHBA-së dhe aleatëve të saj i vjen fundi, ka thënë ish-kryeministri britanik Tony Blair.

Për shkak të efekteve të pandemisë Covid-19 dhe konfliktit në Ukrainë, ‘për një pjesë të madhe të popullsisë perëndimore, standardet e jetesës janë në vendqëndro’, vuri në dukje Blair në leksionin e tij vjetor në Fondacionin Ditchley të shtunën.

“Politika perëndimore është në trazira, më partizane, e shëmtuar, joproduktive dhe e nxitur nga mediat sociale, e cila ndikon si në çështjet e brendshme ashtu edhe në ato ndërkombëtare.” – tha Blair, duke argumentuar se operacioni ushtarak i Rusisë në Ukrainë ‘duhet të bëhet një pikë kryesore që ringjall ndjenjën tonë perëndimore të misionit’.

Megjithatë, sipas 69-vjeçarit, i cili udhëhoqi qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar nga viti 1997 deri në vitin 2007, ‘ndryshimi më i madh gjeopolitik i këtij shekulli do të vijë nga Kina dhe jo nga Rusia’.

“Ne po i afrohemi fundit të dominimit politik dhe ekonomik perëndimor. Bota do të jetë të paktën bi-polare dhe ndoshta shumëpolare.” – parashikoi ai.

Kina, e cila është ‘tashmë superfuqia e dytë në botë’, do konkurrojë me Perëndimin ‘jo vetëm për pushtet, por kundër sistemit tonë, mënyrës sonë të qeverisjes dhe të jetesës’, paralajmëroi politikani laburist. Pekini ‘nuk do jetë vetëm. Do ketë aleatë. Rusia tani me siguri. Ndoshta Iranin’.

“Është hera e parë në historinë moderne që Lindja mund të jetë në kushte të barabarta me Perëndimin.” – shtoi ai.

Ish-kryeministri tha se ngjarjet në Ukrainë e kanë bërë të qartë se Perëndimi ‘nuk mund të mbështetet te lidershipi kinez që të sillet në mënyrën që ne do ta konsideronim racionale. Mos me keqkuptoni. Nuk po them në një afat të afërt që Kina do të përpiqet të marrë Tajvanin me forcë. Por ne nuk mund ta bazojmë politikën tonë në sigurinë se nuk do ta bënte’.

Për të qëndruar i rëndësishëm në mjedisin e ri, Perëndimi duhet të zhvillojë një strategji të përbashkët, ‘të ndjekur me bashkërendim, përkushtim dhe kompetencë’, me shpenzime më të larta të mbrojtjes për të ‘ruajtur epërsinë ushtarake’ duke zgjeruar të ashtuquajturën ‘fuqi të butë’, duke ndërtuar lidhjet me vendet në zhvillim, përfundoi Blair.