Gjermanëve do u kërkohet të mbajnë maska për fytyrën në mjedise të mbyllura përsëri këtë vjeshtë, si pjesë e masave të reja që synojnë frenimin e përhapjes së Covid-19, tha ministri i Drejtësisë Marco Buschmann.
Vala verore e Covid-19 tashmë po ‘humb vrullin’ në vend, ‘por ne duhet të marrim shumë seriozisht atë që na pret në vjeshtë dhe dimër’, tha Buschmann në një intervistë me Berliner Morgenpost.
Ministri tha se qeveria po përgatitej tërësisht për të trajtuar virusin dhe ishte i bindur se kundërmasat efektive do finalizoheshin deri në fund të korrikut. Këto do të diskutohen me autoritetet në 16 shtetet e Gjermanisë muajin e ardhshëm dhe do dërgohen në parlament në shtator.
“Efektshmëria e maskave për individët në mjedise të mbyllura është e padiskutueshme. Kjo është arsyeja pse një formë e kërkesës për maskë në mjedise të mbyllura sigurisht që do të luajë rol në konceptin tonë.” – tha ai.
Sipas Buschmann, kabineti tashmë ka punuar në zhvillimin e kërkesave për maska për transportin publik.
Megjithatë, ministri vuri në dukje se rregullat e reja kundër Covid të Gjermanisë do ishin ‘proporcionale’ dhe do synonin mbrojtjen jo vetëm të shëndetit të njerëzve, por edhe të të drejtave të tyre themelore.
“Ne pajtohemi brenda koalicionit që nuk do të ketë më izolime, nuk do të ketë mbyllje të përgjithshme shkollash dhe asnjë shtetrrethim. Këto janë mjete të papërshtatshme në vitin e tretë të pandemisë.” – tha ai.
Në fillim të kësaj jave, kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë Tedros Adhanom Ghebreyesus u bëri thirrje vendeve që të rivendosin ‘masat sociale të shëndetit publik si maskimi, distancimi dhe ajrosja’.
Pandemia nuk është fare pranë fundit këmbënguli ai, duke treguar numrin në rritje të rasteve të Covid-19 këtë muaj.