Irani është teknikisht i aftë të prodhojë një bombë bërthamore, por asnjë vendim politik për një gjë të tillë nuk është marrë, ka thënë Kamal Kharrazi, këshilltar i lartë i liderit suprem të Iranit, Ali Khamenei.
“Brenda pak ditësh ne ishim në gjendje të pasuronim uraniumin deri në 60% dhe ne mund të prodhojmë lehtësisht uranium të pasuruar 90%.” – tha Kharrazi për Al Jazeera të dielën.
Irani ka mjetet teknike për të prodhuar një bombë bërthamore, por nuk ka pasur asnjë vendim nga Irani për ta ndërtuar atë.
Zbulimi i bombës vjen menjëherë pasi presidenti i SHBA-së Biden u zotua se Uashingtoni do bëjë gjithçka për të parandaluar Teheranin të ketë armë bërthamore.
Premtimi u bë gjatë vizitës së Biden në Izrael në fillim të kësaj jave, kur presidenti amerikan dhe kryeministri izraelit Yair Lapid nënshkruan një deklaratë të përbashkët mbi partneritetin e vazhdueshëm strategjik midis dy vendeve.
Ndër të tjera, Uashingtoni u zotua ‘të mos lejojë kurrë Iranin të ketë armë bërthamore’, duke konfirmuar se ‘është i përgatitur të përdorë të gjithë elementët e fuqisë së tij kombëtare për të siguruar atë rezultat’, sipas deklaratës.
Ndërsa Irani ka deklaruar prej kohësh se nuk kishte kërkuar kurrë të zhvillonte armë bërthamore, vendi ka rritur veprimtaritë e tij bërthamore gjatë viteve të fundit. Zgjerimi i përshkallëzuar i programit bërthamor pasoi lëvizjen e vitit 2018 nga presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Donald Trump, për t’u tërhequr në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 me Iranin.
Që atëherë, marrëveshja historike, e njohur zyrtarisht si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA), në mënyrë efektive ka dështuar, me Uashingtonin që ka rivendosur sanksione të vjetra dhe duke shtuar sanksione të reja ndaj Teheranit.
Irani, nga ana tjetër, pezulloi dalëngadalë detyrimet e tij sipas JCPOA, duke instaluar pajisje të reja për pasurimin e uraniumit dhe duke rritur prodhimin e materialit radioaktiv.