Kryetarja e LSI-së Kryemadhi deklaroi sot se shqiptarët po paguajnë koncesionin e inceneratorit të Tiranës me 80 mijë dollarë në ditë edhe pse ai nuk ekziston fare.
Në deklaratën e bërë nga selia e partisë, ajo theksoi se autoritetet duhet të ndalojnë menjëherë pagesat për koncesionin në fjalë.
“Shqiptarët sot po vazhdojnë të paguajnë koncesionin e inceneratorit të Tiranës 80 mijë dollarë në ditë. 80 mijë dollarë në ditë per inceneratorin e Tiranes, nga xhepat e qytetarëve më të varfër shkojnë në xhepat e pronarëve të inceneratorëve, që sot janë në arrati nga drejtësia, rrugëve te evropës, e këto para që i zhvasin nga qytetarët i ndajnë me qeverinë. 80 mijë dollarë në ditë per inceneratorin e Tiranes, që ata i marrin pa të drejtë, pasi jo vetëm që incenerator në Tiranë sot nuk ka dhe autoriteti përgjegjës që ndjek zbatimin e kontratës duhet menjëherë të kërkojë ndërprerjen e pagesave dhe koncesionit për mospërmbushje kontrate.
Por siç e vërtetojnë faturat fiktive që kemi bërë publike, investimi 128 milionë euro që privati ka marrë përsipër, është justifikuar me fatura fiktive, pa kryer në të vërtetë investimin që i jep të drejtën koncesionarit të përfitojë tarifën e shërbimit 29 euro/ton.
80 mije dollarë në ditë për inceneratorin e Tiranës, ndërkohë që sot na dalin barinj milionerë, mbledhës kanaçosh milionere, pleq nëpër azile milionerë dhe njerëz që kanë ndërruar jetë, që shiten për publikun si pronarë kompanish që po punojnë në ndërtimin e inceneratorëve.” – tha Kryemadhi.