Vendosni fjalën kyçe....

Masakra me tre viktima e Fushë Krujës, kryhen dhjetëra kontrolle e shoqërohen disa persona

Dhjetëra persona janë shoqëruar nga policia lidhur me masakrën e djeshme në Fushë Krujë ku u ekzekutuan Brilant Martinaj, Diklen Vataj e Besmir Hoxhaj.

Gjatë orëve të para të mëngjesit janë kryer kontrolle të shumta në dhjetëra banesa e mjedise të tjera ndërsa janë shoqëruar persona që dyshohet se mund të kenë dijeni për lëvizjen  e autorëve.

Përveç efektivëve të policisë në vend ndodhen edhe forcat RENEA e Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.

Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e djeshme te Mbikalimi i Fushë Krujës ku ndaj mjetit me të cilin udhëtonin tre të rinjtë u qëlluan mbi 60 plumba nga disa drejtime.

Mjeti i të rinjve shpërtheu në flakë dhe Brilant Martinaj, kushëriri i Ervis Martinaj dhe shoferi Besmir Hoxhaj ndërruan jetë në vend e u dogjën brenda makinës.

Ndërkohë Diklen Vataj, i cili ishte mik i ngushtë e fqinj i Martinajt dhe shërbente si truproje i tij arriti të dalë nga mjeti por u qëllua për vdekje nga autorët, që më pas  larguan me shpejtësi në drejtim të Larushkut ku edhe dogjën makinën e përdorur.

Ditën e djeshme në vend shkoi edhe drejtori i Policisë së Shtetit Nano, ndërkohë për të zbardhur ngjarjen do përdoren të gjitha mjetet që ka në dispozicion policia si kamerat termike, dronët e pajisje të tjera moderne.