Vendosni fjalën kyçe....

Zhdukja e 59 arkave me banane, kamioni prej 11 ditësh në port s’u vendos në zonën e riskut, policia mori vetëm pamjet e datës 16 korrik


Kontejneri me banane, nga i cili u zhdukën rreth 60 arka me peshë mbi 500 kilogramë e ku dyshohet se ishte fshehur drogë nuk u vendos në zonën e riskut në Portin e Durrësit edhe pse të gjitha ngarkesat që vijnë nga Amerika e Jugut dërgohen aty për kontroll.

Kamioni me banane kishte ardhur nga Kolumbia në Spanjë e prej këtej në Itali e më pas në Durrës.

Për më tepër, gjatë kontrollit policia ka administruar vetë pamjet e datës 16 korrik por jo të datave 7-15 korrik.

Porti i Durrësit dhe terminali i konteinerëve janë të pajisura me një rrjet të dendur kamerash që mbikëqyren gjatë gjithë kohës, 24 orë në 24 nga autoritetet e portit, shkruan Shqiptarja.

Ditën e djeshme një oficer policie denoncoi te kreu i PD-së Berisha se nga kamioni ishin zhdukur mbi 500 kg banane ku dyshohej se kishte kokainë.

Sipas tij, familjarët e pushtetarëve e individëve me rekorde kriminale kishin marrë leje të jashtëligjshme për të qarkulluar brenda portit.