Presidenti Meta ka pritur në takim ambasadorin e Gjermanisë, Peter Zingraf.
Kreu i shtetit shkruan se vizita e tij vjen në një ditë të shënuar siç është çelja zyrtare e negociatave të anëtarësimit në BE.
Ai thekson më tej se mbështetja e Gjermanisë ka qenë thelbësore në arritjen e rëndësishme të vendit.
Meta shkruan se e ka siguruar ambasadorin për vullnetin e angazhimin e tij edhe pas përfundimit të mandatit për të përshpejtuar rrugën europiane të Shqipërisë.
“Një kënaqësi e veçantë të prisja sot në takim Ambasadorin e Gjermanisë, Peter Zingraf. Vizita e tij, përkoi me një ditë të shënuar për Shqipërinë, hapjen zyrtare të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Përkrahja dhe mbështetja e Gjermanisë dhe në veçanti e Bundestagut kanë qenë thelbësore në këtë arritje të rëndësishme dhe meritojnë mirënjohje të thellë. I shpreha Ambasadorit Zingraf vullnetin dhe angazhimin tim të vendosur edhe pas përfundimit të mandatit si President i Republikës, për të përshpejtuar rrugën europiane dhe për forcimin e parreshtur të marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve tona.” – shkruan Meta