Vendosni fjalën kyçe....

PD: AKSHI amator e i politizuar, i papërgatitur për sulme kibernetike. Pse nuk ka një server të dytë?


Partia Demokratike ka denoncuar qenien jashtë funksionit të platformave qeveritare pas sulmit kobernetik të para pak ditëve.

Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun, Jola Hysaj, tha se platforma me të cilën kryeministri Rama mburrej doli të ishte një fluskë ndërsa akuzoi AKSHI-n si të politizuar e amator.

“Serveri i qeverisë vazhdon të jetë i rënë gjë që ka paralizuar me qindra shërbime të domosdoshme duke e kthyer Shqipërinë në epokën e para internetit. Raportimet që na vijnë nga terreni bëjnë me dije për bllokim të total, që nga marrja e certifikatave familjare dhe mjekësore, pensioneve, rrogave e me radhë. Te Tatimet e Gjykatat janë bllokuar disa prej funksioneve më bazike. Një ditë e vetme mjaftoi për të kuptuar se pse plaforma qeveritare bashkë me qindra shërbime me të cilat kryeministri mburrej, rezultuan një fluskë e madhe. Një shërbim amator dhe i politizuar si AKSHI i qeverisë ka dëshmuar edhe njëherë se më shumë se shërbime u bën dëm qytetarëve shqiptarë.PD u bën thirrje organeve përgjegjëse të hulumtojnë mbi atë që qeveria ka lajmëruar si hakerim.” – tha Hysaj.

Zyrtarja e PD-së tha më tej se nuk është hera e parë që të dhënat e qytetarëve kanë dalë e kanë rënë në duar të pasigurta.

Hysaj deklaroi se PD dyshon në profesionalizmin e gatishmërinë e AKSHI-t për t’u përballur me skenare të tilla ndërsa pyeti pse nuk ekziston një server i dytë që do shërbente për të ruajtur të dhënat e qytetarëve.

“Nuk është hera e parë që të dhënat e qytetarëve derdhen rrugëve dixhitale dhe bien në duar të pasigurta. Ne gjithashtu dyshojmë në profesionalizmin e gatishmërinë e AKSHI-t për t’u përballur me skenare të tilla. Një pyetje që bëjmë në emër të qytetarëve është: Pse nuk ka një server të dytë i cili të shërbejë si host i të dhënave. Kjo është një masë që edhe një portal lajmesh e merr. Ky është një kriter normal në botën dixhitale. Çdo orë që kalon e shton kaosin dhe mundimin  çdo qytetari për të aksesuar shërbimet jetike siç rrezikon të dhënat e secilit prej nesh.” – tha Hysaj.