Shqipëria e Maqedonia e Veriut kanë çelur sot zyrtarisht negociatat për anëtarësimin në BE.
Historike e kanë quajtur datën e sotme si kryeministri Rama e presidenti Meta ashtu edhe zyrtarët europianë që morën pjesë në konferencën e parë ndërqeveritare mes Brukselit nga njëra anë e Tiranës e Shkupit nga ana tjetër.
Çelja e negociatave për Shqipërinë vjen 16 vitë pas nënshkrimit të marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe 8 vite pas marrjes së statusit kandiidat.
Kryeministri Rama udhëhoqi sot një delegacion prej 25 anëtarësh që shkuan në Bruksel për konferencën ndërqeveritare.
Në fjalën e tij gjatë saj, kryeministri Rama foli për vështirësitë me të cilat ishte përballur Shqipëria sidomos tre vitet e fundit, prezantoi ato që i quajti arritjes e reforma të qeverisë së tij si dhe bëri zotimet për të ardhmen.
Më herët ai ishte pjesë e një konference për shtyp ku morën pjesë edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut Kovacevski e shefja e KE-së, Von der Leyen.
Kjo e fundit vlerësoi reformat në dy vendet respektive që sipas saj kanë përmirësuar jetesën në vendet përkatëse ndërsa tha se kryeministri Rama kishte treguar vizion, lidership e durim strategjik.
Konferenca e parë ndërqeveritare u pasua nga një tjetër konferencë shtypi ku morën pjesën Komisioneri për Zgjerimin, Varhelyi, ministri i Jashtëm çek Jan Lipavsky e kryeministri Rama.
Varhelyi tha gjatë fjalës së tij se vendi i Ballkanit Perëndimor është në BE dhe se kjo e fundit do bëjë gjithçka për përshpejtimin e integrimit të Tiranës e Shkupit në union.
Çelja e negociatave erdhi pasi parlamenti i Maqedonisë së Veriut miratoi planin francez për të zgjidhur ngërçin me Bullgarinë që kishte bllokuar çeljen e negociatave të Shkupit dhe Shqipërisë.