Vendosni fjalën kyçe....

“Turqia mund ta ‘ngrijë’ ende zgjerimin e NATO-s” – Erdogan


Presidenti turk Erdogan paralajmëroi Suedinë dhe Finlandën të hënën se Ankaraja ende mund të ‘ngrijë’ anëtarësimin e tyre në NATO, pasi nuk janë zbatuar ende marrëveshjet e muajit të kaluar, në të cilën dy vendet nordike premtuan të ndërmarrin hapa specifikë për të kapërcyer kundërshtimet e Turqisë.

“Dua të ritheksoj edhe një herë se ne do të ngrijmë procesin nëse këto vende nuk ndërmarrin hapat e nevojshëm për të përmbushur kushtet tona.” – u tha Erdogan gazetarëve. “Qëndrimi ynë për këtë çështje është shumë i qartë. Pjesa tjetër u takon atyre.” – shtoi ai.

“Suedia në veçanti nuk është në pozita të mira për këtë çështje.” – shtoi ai.

Ankaraja kishte bllokuar ofertat e Helsinkit dhe Stokholmit për anëtarësimin në NATO deri në fund të qershorit.

Një memorandum trepalësh i nënshkruar në Madrid i lejoi aleancës të ftonte zyrtarisht Finlandën dhe Suedinë në një samit në Spanjë.

Dokumenti u bën thirrje dy vendeve nordike të adresojnë kërkesat turke duke i dhënë fund embargos së tyre ndaj shitjeve të armëve në Ankara dhe duke goditur individët dhe organizatat që Turqia i ka cilësuar si terroriste.

Midis tyre janë aktivistë të Partisë Punëtore të Kurdistanit (PKK) që kërkuan azil në Suedi dhe Finlandë, si dhe pasues të klerikut të mërguar Fetullah Gulen.

Finlanda dhe Suedia qëndruan asnjanëse gjatë Luftës së Ftohtë, por aplikuan për t’u anëtarësuar në NATO më 18 maj të këtij viti, duke përmendur shqetësimet për sigurinë e tyre në mes të operacionit ushtarak rus në Ukrainë.

Parlamentet e të 30 vendeve të NATO-s duhet të ratifikojnë anëtarësimin e tyre përpara se ai të hyjë në fuqi.

Kushtet e Erdoganit kishin kërcënuar të prishnin planet e NATO-s për të ftuar zyrtarisht dyshen në samitin e 28-30 qershorit në Madrid, por marrëveshja e minutës së fundit, që thuhet se u arrit në kafe, gjeti formulën për ta çuar procesin përpara.

Paralajmërimi i Erdogan vjen pasi Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA miratoi tekstin e Aktit të Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) që kërkonte certifikime shtesë përpara se Turqia të mund të blinte më shumë avionë luftarakë F-16.

Presidenti i SHBA-së Joe Biden këmbënguli muajin e kaluar se shitja e F-16 nuk ka të bëjë me lejimin e Turqisë për anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës.