Vendosni fjalën kyçe....

Ukraina kërcënon të godasë Krimenë me raketa amerikane


Kievi e sheh Gadishullin e Krimesë si një objektiv të ligjshëm për armët me rreze të gjatë të ardhura nga Perëndimi, tha një zëdhënës i Drejtorisë së Inteligjencës në Ministrinë e Mbrojtjes, Vadim Skibitskiy.

Zyrtari i bëri komentet teksa u shfaq drejtpërdrejt në kanalin televiziv 1+1, duke u pyetur nëse Ukraina mund të përdorte sisteme raketash M142 HIMARS dhe M270 MLRS të prodhuara nga SHBA për të goditur Krimenë.

“Sot, Gadishulli i Krimesë është bërë një qendër për lëvizjen e të gjitha pajisjeve dhe armëve që vijnë nga Federata Ruse në jug të shtetit tonë. Është, para së gjithash, një grup pajisjesh ushtarake, municionesh dhe materialesh që janë të përqendruara në Krime, dhe më pas dërgohen për të furnizuar forcat pushtuese ruse.” – tha Skibitskiy.

Kievi po kërkon gjithashtu të sulmojë anijet luftarake të Flotës ruse të Detit të Zi, të vendosura në Krime, vazhdoi Skibitskiy. Anijet luftarake po përdoren për të lëshuar raketa lundruese dhe për këtë arsye janë ‘ndër objektivat që duhen goditur për të garantuar sigurinë e qytetarëve, instalimeve tona dhe Ukrainës në përgjithësi’, shpjegoi ai.

Kërcënimi vjen një ditë pasi ministri ukrainas i Mbrojtjes Alexey Reznikov njoftoi se Kievi ka marrë sistemet e tij të para M270 MLRS. Zyrtari nuk shtjelloi nëse sistemet tashmë janë vendosur në fushën e betejës dhe as nga ku kanë mbërritur saktësisht. Më herët, Londra ishte zotuar të furnizonte të paktën tre sisteme të këtij lloji.

Ndërsa Kievi ka kërkuar të marrë municione të tilla me rreze të gjatë, Uashingtoni duket se heziton t’i dorëzojë ato për shkak të frikës se ato do të përdoren për të goditur thellë në territorin rus dhe mund të përshkallëzojnë në masë të madhe konfliktin në vazhdim.

Krimea, megjithatë, duket të jetë një rast i veçantë, duke qenë se as Uashingtoni dhe as Kievi nuk e njohin atë si pjesë integrale të Rusisë. Krimea votoi për t’u larguar nga Ukraina dhe për t’u bashkuar me Rusinë në mars 2014, pas grushtit të shtetit të mbështetur nga SHBA në Maidan në Kiev.