Personi që besohet se ka vrarë ish-kryeministrin e Japonisë, Shinzo Abe në fillim të këtij muaji, kishte lënë të kuptohet për planet e tij në një letër të shkruar më herët, pohojnë mediat japoneze.
Të dielën, disa media sugjeruan se Tetsuya Yamagami në një moment i kishte dërguar një mesazh me shkrim një kritiku të Kishës së Unifikimit, organizatës të cilën 41-vjeçari fajëson për rënien e familjes së tij. Në letër, Yamagami, ndër të tjera, kritikoi ashpër Abe, i cili besonte se kishte lidhje me grupin fetar në fjalë.
Sipas mediave që citojnë marrësin e letrës, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur, atentatori i mundshëm kishte shkuar aq larg sa të tregonte se donte të vriste ish-kryeministrin.
Yamagami citohet të ketë thënë se ai ishte ‘ndier i zemëruar ‘ me ndaj Abe, i cili në sytë e tij kishte qenë ‘një nga simpatizantët më me ndikim të Kishës së Unifikimit në botën e vërtetë’.
Policia raportohet se tani është në dijeni të mesazhit. Ish-kryeministri u qëllua më 8 korrik teksa mbante një fjalim për fushatën elektorale në rrugët e qytetit të Narës.
Politikani u dërgua me urgjencë në spital, megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta ringjallur, ai nuk tregoi ‘asnjë shenjë jetësore’ dhe shpejt u shpall i vdekur.
Vrasësi i dyshuar, i cili posedonte një armë të bërë vetë, u kap nga policia në vendngjarje.
Yamagami më vonë u zbuloi hetuesve se donacionet e nënës së tij për Kishën e Unifikimit kishin bërë që familja e tij të prishej, me xhaxhain e të dyshuarit që konfirmoi se gruaja kishte derdhur një total prej 100 milionë jenësh (720,000 dollarë).
Organizata, e njohur zyrtarisht si Federata e Familjes për Paqen dhe Bashkimin Botëror, është një lëvizje relativisht e re fetare e themeluar në Korenë e Jugut në vitin 1954 nga Sun Myung Moon, i cili pretendonte se ishte një mesia.