Vendosni fjalën kyçe....

“Bota duhet të zgjedhë midis veprimit kolektiv ose vetëvrasjes kolektive për ndryshimet klimatike ” – Shefi i OKB-së


Bota ka një zgjedhje midis ‘veprimeve kolektive dhe vetëvrasjes kolektive’ dhe duhet të veprojë menjëherë për të adresuar ndryshimet klimatike, tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres në një mesazh për Dialogun e Klimës në Petersberg në Berlin, Gjermani.

“Përqendrimet e gazit serrë, rritja e nivelit të detit dhe nxehtësia e oqeanit kanë thyer rekorde të reja. Gjysma e njerëzimit është në zonën e rrezikut nga përmbytjet, thatësirat, stuhitë ekstreme dhe zjarret. Asnjë komb nuk është i mbrojtur.” – tha Guterres në një video-mesazh.

“Ajo që më shqetëson më shumë është se, duke përballuar këtë krizë globale, ne po dështojmë të punojmë së bashku si një komunitet shumëpalësh. Kombet vazhdojnë të luajnë lojën e fajit në vend që të marrin përgjegjësinë për të ardhmen tonë kolektive. Ne nuk mund të vazhdojmë në këtë mënyrë.” – shtoi zyrtari i lartë i OKB-së.
“Kjo duhet të jetë dekada e veprimit vendimtar për klimën. Kjo do të thotë besim, multilateralizëm dhe bashkëpunim. Ne kemi një zgjedhje. Veprim kolektiv ose vetëvrasje kolektive.”­ – theksoi ai.

Guterres këmbënguli se vendet e botës ‘duhet të rindërtojnë besimin dhe të bashkohen’ për të krijuar një ‘përgjigje konkrete globale’ mbi klimën, duke përfshirë dhënien e ndihmës financiare për ata që preken më shumë nga ngjarjet mjedisore.

Takimi në Gjermani mblodhi përfaqësues nga 40 vende për të diskutuar përparimin në zbatimin e marrëveshjeve klimatike, pakësimin e përdorimit të lëndëve djegëse fosile dhe promovimin e kalimit në ‘burime të qëndrueshme të energjisë’ në mënyrë që të kufizohet ngrohja globale në 1.5°C, siç ishte rënë dakord në vitin e kaluar në samitin e klimës COP26 në Skoci.

Në fillim të këtij muaji, Guterres bëri thirrje për një ‘revolucion të energjisë së rinovueshme’ dhe kërkoi një moratorium mbi termocentralet e qymyrit dhe çdo kërkim të mëtejshëm të naftës dhe gazit në mbarë botën. Komentet e tij vijnë mes trazirave në disa vende që janë përpjekur të zbatojnë reforma në emër të frenimit të ngrohjes globale.

Qeveria e Sri Lankës, e cila kishte ndaluar plehrat industriale, u rrëzua javën e kaluar nga turmat që protestonin ndaj mungesës së ushqimit dhe karburantit. Fermerët në Holandë që protestojnë për kufizimet e emetimeve janë përleshur me policinë, ndërsa plani i Ganës për të kaluar në energjinë ‘e gjelbër’ e ka lënë vendin afrikan të përballet me ndërprerje të gjata energjie.