Vendosni fjalën kyçe....

Uji, ndërmarrjet instaluan gati 26 mijë matës por ende ka faturim aforfe


Faturimi aforfe tek uji vijon të zbatohet rregullisht për disa mijëra konsumatorë pavarësisht se nga viti në vit numri i tyre është ulur.

Enti Rregullator i Ujit nënvizoi se ndërmarrjet duhet të kenë një qasje të re duke hequr përfundimisht këtë praktikë e cila reflektohet edhe tek bilancet e secilës.

Në raportin vjetor të performancës të publikuar pak dItë më parë ERRU vlerëson gjithsesi se Niveli i Matjes është një tregues i cili ka një përmirësim konstant çdo vit dhe për vitin 2021 është 80.7%, me një përmirësim (+1.1%), por konsiderohet ende larg objektivit të përcaktuar nga ERRU.

“Pas riorganizimit të shoqërive me ndarjen e re administrative, ky tregues ka patur luhatjet e veta në varësi të organizimit të shoqërive, pasi shumica e konsumatorëve të zonave rurale nuk kanë instaluar matësa individual. Shoqëritë UK për vitin 2021 kanë raportuar instalimin e 25,986 matëseve të rinj, kështu numri i lidhjeve me matës në rang sektori ka shkuar 743,709 lidhje nga 921,158 lidhje UK që janë në total në të gjithë shoqëritë. Sektori ende vazhdon të faturojë aforfe 6,970 klientë privat dhe institucione, ndërkohë që procesi i instalimit të matësve, në kategorinë klientë jo familjarë të financuara nga vetë klientët, duhet të kishte përfunduar në zbatim të Vendimit Nr. 236, datë 10.5.1993 dhe VKM nr.96, datë 21.2.2007” thuhet në raport.

I njëjti dokument nënvizon se në sektor ka disa shoqëri me nivel shumë të mirë të këtij treguesi mbi 85% si ato të bashkive Korçë, Durrës, Lushnje, Sarandë, Tiranë, Divjakë, Librazhd, Peqin, Rrogozhinë, Pustec, Këlcyrë etj., por ka dhe shoqëri që e kanë këtë tregues nën nivelin 40%, si ato Libohovë, Dropull, Bulqizë, Kurbin, Skrapar dhe Patos.

“Shoqëritë UK duhet ti kushtojnë vëmendje të veçantë pajisjes 100% të konsumatorëve me matës, në mënyrë që konsumatorët të paguajnë volumin real të ujit të konsumuar, por edhe për faktin se faturimi aforfe lë shteg për shpërdorimin e ujit nga konsumatorët për ujitje, veçanërisht ato të shtëpive private dhe zonave rurale e cila jep më pas impakt negativ edhe në treguesin tjetër të Uji Pa të Ardhura” vlerëson ERRU.

Instalimi i matësve sipas entit është komponent kyç i sistemeve të furnizimit me ujë dhe konsumatorëve individualë, por për këtë kërkohet edhe mbështetja me financime nga qeveria qendrore.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor