Qeveria federale zvicerane ka kundërshtuar një kërkesë për të trajtuar ukrainasit e plagosur, duke argumentuar se masa do të shkelte statusin asnjanës të kombit alpin, ka mësuar gazeta e vendit ‘Tages Anzeiger’.
Kërkesa është bërë nga një departament i NATO-s. Qendra Euro-Atlantike e Koordinimit të Reagimit ndaj Fatkeqësive, një strukturë e NATO-s që aktualisht bashkërendon evakuimet mjekësore ndërkombëtare dhe trajtimin e ukrainasve të lënduar gjatë konfliktit të vazhdueshëm midis Moskës dhe Kievit, thuhet se kontaktoi Shërbimin e Koordinuar Mjekësor të Ushtrisë Zvicerane (KSD) në maj.
Blloku ushtarak kërkoi ndihmë nga mjekët zviceranë për t’u kujdesur jo vetëm për ushtarët ukrainas, por edhe për civilët që kanë nevojë për trajtim spitalor, raportoi media të hënën.
Në mes të qershorit, ideja u hodh poshtë nga Departamenti i Punëve të Jashtme, i cili tha se çdo pranim i tillë do të ishte i pamundur për ‘arsye ligjore dhe praktike’, raporton media.
Sipas Konventave të Gjenevës të ratifikuara nga Berna, një shtet asnjanës mund të trajtojë ushtarët që marrin pjesë në një konflikt midis vendeve të treta, por më pas duhet të sigurojë që ata ‘nuk mund të marrin më pjesë në luftën në zhvillim’, raportojnë mediat zvicerane. Përndryshe, një komb i tillë do të humbiste statusin e tij asnjanës, shpjeguan mediat.
Sipas gazetës zvicerane ‘Blick’, Berna mund të shkojë deri në burgosjen e çdo ushtari ukrainas që ka trajtuar. Një tjetër mundësi do ishte t’i kërkohet Moskës që të lejojë ushtarët e rikuperuar të kthehen në Ukrainë, shtoi gazeta.
Trajtimi i civilëve doli të ishte po aq problematik për autoritetet zvicerane në rrethanat ekzistuese, sipas mediave të vendit. Johannes Matyassy, Drejtor i Drejtorisë Konsullore të Departamentit të Punëve të Jashtme, u tha gazetarëve se ‘është pothuajse e pamundur të bëhet dallimi midis civilëve dhe ushtarëve’ kur bëhet fjalë për Ukrainën e sotme pasi ‘shumë civilë në Ukrainë kanë marrë armët’.
Zvicra planifikon të dërgojë ndihma humanitare për të mbështetur spitalet civile në Ukrainë, raportojnë mediat zvicerane, duke shtuar se shkalla e saktë e kësaj ndihme është ende duke u diskutuar.
Zvicra, një vend që krenohet me asnjanësinë e saj, i është bashkuar disa prej sanksioneve perëndimore kundër Rusisë për operacionin e saj ushtarak në Ukrainë. Megjithatë Berna në mënyrë të përsëritur i pengoi vendet e tjera perëndimore të dërgonin armë dhe municion të prodhimit zviceran në Kiev.
Në prill, Zvicra bllokoi dërgimin e municioneve të përdorura nga automjetet luftarake të këmbësorisë Marder të Gjermanisë në Ukrainë, sipas mediave lokale.