Vendosni fjalën kyçe....

Media shtetërore kineze kërcënon SHBA-në me ‘pasoja të papara’


Nëse kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, e zhvillon vizitën e saj në Tajvan në gusht, Kina do ta konsiderojë atë një ‘provokim të nivelit strategjik’, i cili do t’i shtynte marrëdhëniet me SHBA-në ‘nga shkëmbi në humnerë’, tha Global Times në një seri editoriale të ashpër këtë javë, duke cituar ekspertë dhe zyrtarë qeveritarë.

Ministria e Jashtme kineze kishte thënë tashmë se vizita do kishte një ‘ndikim të rëndë’ dhe do të shkelte marrëveshjet ekzistuese me SHBA.

As Pelosi dhe as Taipei nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht vizitën, por Financial Times raportoi se kryetarja 82-vjeçare e Dhomës së Përfaqësuesve do marrë një delegacion të Kongresit në Tajvan muajin e ardhshëm, duke cituar ‘gjashtë persona të njohur me situatën’. Vizita e saj e përfolur më parë, në prill, nuk u zhvillua, gjoja për shkak të infektitimit të Pelosit me Covid-19.

Nëse ajo vazhdon këtë herë, ekspertët kinezë i thanë Global Times se vizita do përbënte një provokim që do të nxiste një përgjigje ushtarake nga Pekini, me pasoja ‘të vështira’ për ekonominë tashmë të trazuar amerikane.

“Kina duhet ta bëjë të qartë vendosmërinë e saj dhe të tregojë pikat e saj të forta, dhe të lërë palën amerikane të vendosë të shmangë një krizë dhe të sigurojë një situatë relativisht të qëndrueshme, ose ta bëjë botën e trazuar më kaotike.” – vuri në dukje gazeta.

Një artikull i veçantë editorial i panënshkruar i Global Times paralajmëroi se ‘nëse Pelosi do vizitonte vërtet Tajvanin, ajo do përfshihej në listën e sanksioneve të Kinës’ dhe asetet e familjes së saj do të ‘ngriheshin menjëherë’.

Global Times vuri në dukje se kjo nuk do të ishte vizita e parë e një kryetari të Dhomës së Përfaqësuesve në Tajvan, siç e bëri Newt Gingrich në 1997. Megjithatë, ai ishte një republikan në kundërshtim me administratën e presidentit të atëhershëm Bill Clinton, e cila kishte treguar ‘sinqeritet dhe bëri përpjekje për të rregulluar lidhjet me Kinën’ pas krizës së vitit 1996 mbi ishullin.

“Nëse vizita ndodh nuk do ishte një llogaritje e gabuar, por një provokim i qëllimshëm nga pala amerikane.” – tha për Global Times Lu Xiang, një ekspert i studimeve amerikane në Akademinë Kineze të Shkencave Sociale.

Eksperti ushtarak dhe komentatori i televizionit Song Zhongping spekuloi se Pelosi po përpiqet të fitojë pikë për demokratët përpara zgjedhjeve të ardhshme afatmesme, duke llogaritur që Kina të mos përgjigjet me shumë forcë, sepse Partia Komuniste do të përgatitet për kongresin e saj kombëtar në vjeshtë.

“SHBA, nga njëra anë, kërkon bashkëpunimin e Kinës për çështjet që lidhen me Iranin, Korenë e Veriut dhe Rusinë, por nga ana tjetër, vazhdon të provokojë Kinën për interesat thelbësore.” – tha Song, duke shtuar se Kina mund të përgjigjet duke forcuar marrëdhëniet me këto tre vende, apo edhe duke bërë marrëveshje sigurie në Amerikën Latine.

Komentatori i Global Times, Hu Xijin, shkoi aq larg sa sugjeroi që Ushtria Çlirimtare Popullore (PLA) të dërgonte avionë ushtarakë për të shoqëruar avionin e Pelosit dhe të fluturonte mbi Tajvan në një shfaqje force.

Pekini zyrtar ka qenë jo më pak i drejtpërdrejtë në paralajmërimin e SHBA-së kundër vizitës së Pelosit. Të martën, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Zhao Lijian tha se kjo do kishte një ‘ndikim të rëndë’ në lidhjet kino-amerikane, duke shkelur politikën e një Kine dhe marrëveshjet ekzistuese midis Uashingtonit dhe Pekinit.

“Nëse SHBA këmbëngul të ndjekë rrugën e vet, Kina do të marrë masa të forta dhe të ashpra për të mbrojtur me vendosmëri sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial. Shtetet e Bashkuara duhet të mbajnë të gjitha pasojat e vizitës.” – tha Zhao.