Vendosni fjalën kyçe....

Meta letër Nikollës dhe deputetëve për çështjen e detit me Greqinë: Mbetem i hapur për bashkëpunim


Presidenti Ilir Meta i ka dërguar një letër informuese kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla dhe 140 deputetëve mbi çështjen e procesit të negocimit të kufirit detar me Greqinë.

Meta kërkon që deputetët ta lexojnë letrën jashtë çdo interesi apo paragjykimi politik.

Më tej Presidenti thotë se mbetet i hapur për bashkëpunim me Kuvendin deri më datë 24 korrik por edhe përtej kësaj date.

Në respekt të transparencës, të rëndësisë së jashtëzakonshme të çështjes dhe të përmbushjes së plotë të detyrimeve kushtetuese nga të gjithë aktorët përgjegjës, sot në prag të mbarimit të mandatit tim në detyrën e Presidentit të Republikës, i nisa një letër zyrtare informuese Kryetares së Kuvendit, znj.Lindita Nikolla dhe të gjithë deputetëve, mbi çështjen e hapur të procesit të negocimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për Kufizimin e Zonave të tyre Detare.

Uroj që çdo deputet ta lexojë me vëmendje, jashtë çdo interesi apo paragjykimi politik, dhe Kuvendi i Shqipërisë në trajtimin e saj të udhëhiqet nga interesi kombëtar, zbatimi i Kushtetutës dhe vullneti i mirë për zgjidhjen e drejtë të kësaj çështjeje.

I udhëhequr si gjithmonë nga ndjenja e lartë e përgjegjësisë dhe e bashkëpunimit për çështje madhore, mbetem i hapur për të bashkëpunuar me Kuvendin e Shqipërisë jo vetëm deri në mbrëmjen e datës 24 korrik 2022, por edhe përtej”-shkruan Meta.