Vendosni fjalën kyçe....

Meta: Rama as nuk ka kërkuar dhe as nuk është pajisur me autorizim për të negociuar çështjen e detit (Letra e plotë)


Presidenti Ilir Meta në letrën drejtuar kryeparlamentares së Kuvendit Lindita Nikolli, për ndarjen e kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë ka informuar gjerë e gjatë procesin e ndjekur deri tani.

Meta në letër informon deputetët se kryeministri Edi Rama  nuk ka kërkuar dhe as nuk është pajisur me autorizim, sipas edhe vendimit Gjykata Kushtetuese është shprehur me vendim nr.15 të vitit 2010, për ta çuar çështjen e Detit në Gjykatën e Hagës, në një kohë kur palët janë në proces negociator.

Meta thekson se deklaratat publike dhe takimet e zhvilluara në këtë funksion, jashtë kontekstit ligjor negociator, krijojnë pasoja të rënda për vendin, duke shtuar se vihet në rrezik edhe sovraniteti territorial i Shqipërisë.

“Ligjërisht rezulton se, Kryeministri, apo çdo zyrtar tjetër i Qeverisë nuk është konsultuar, nuk ka kërkuar dhe as nuk është pajisur me ndonjë Autorizim nga Presidenti i Republikës, sipas detyrimit të qartë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr. 15/ 2010, për të negociuar apo për të diskutuar me Republikën e Greqisë në emër të Republikës së Shqipërisë, në lidhje me çështjen e kufizimit të zonave detare, e aq më pak për të vendosur apo dakordësuar nëse kjo çështje do të shkojë për alternativë zgjidhje në ndonjë nga Gjykatat Ndërkombëtare, ndërkohë që palët zyrtarisht janë ende në negociata, sipas Autorizimit nr.733, datë 19.3.2018.

Zyrtarët e Republikës së Shqipërisë, më së pari Kryeministri duhet të veprojnë me shumë maturi e përgjegjshmëri, pasi çdo dakordësi apo mirëkuptim politik, apo diplomatik i dhënë nga Kryeministri/Qeveria shqiptare, qoftë dhe parimisht, në takime të zhvilluara jashtë kontekstit ligjor negociator të kësaj çështje, apo çdo lloj qasje publike përmes deklaratave/statuseve, janë rekorde të forta, që krijojnë pasoja, dhe që mbeten tërësisht nën përgjegjësinë individuale të personave që i kanë shprehur ato, por që nga ana tjetër rrezikojnë të përdoren në të ardhmen në dëm të pozitës negociatore të Shqipërisë, në dëm të interesave interesave të saj të ligjshme, në procesin negociator apo në procese të tjera që mund të ndiqen për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së kufizimit të zonave detare mes dy vendeve tona.

Sovraniteti territorial i Republikës së Shqipërisë, i përket popullit shqiptar, i cili për këto çështje e ushtron atë përmes përfaqësuesve të tij në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, të cilin Qeveria qartësisht e ka shmangur në këtë proces gjithashtu, sipas dijenisë tonë.

Kushtetuta, aktet ndërkombëtare të nënshkruara ndër shekuj, vendimi i Gjykatës Kushtetuese 15/2010, janë akte në fuqi, të pacenuara dhe që përcaktojnë qartë si territorin dhe sovranitetin e Republikës së Shqipërisë, mënyrën e veprimit në çështje të kësaj natyre dhe çdo autoritet shtetëror ekzekutiv, legjislativ, apo gjyqësor, duhet të veprojë në përputhje me parimet, vlerat dhe detyrimet që përcaktohen në to”-thuhet pjesërisht në letër.

Letrën e plotë e lexoni këtu