Kryeministri Rama u është përgjigjur akuzave të opozitës për projektrezolutën e PS-së kundër raportit të Dick Marty-t për luftën në Kosovë duke thënë se PD-ja i përdor viktimat e luftës në Kosovë sa herë është në krizë.
Ai tha gjithashtu se PD-ja ia ka ‘ngulur thikën’ Kosovës që në krye të herës duke përmendur votën e dhënë në ëshillin e Europës për Dick Marty-n, përkundrejt votave kundër të Shpëtim Idrizit e Damian Gjiknurit.
“Është sa e thjeshtë aq e neveritshme që e bëni këtë. Kujtoheni për gjenocidin në Kosovë, po të shohësh historinë rezolutave sheh edhe ndryshimin si nata me ditën mes jush dhe nesh. Mes asaj që quhet PD që sot se di si quhet dhe ne që jemi Partia Socialiste e Shqipërisë. Sa herë ka pasur krizë dhe ju është dashur ta kapërceni, keni futur në mes viktimat e Kosovës. Merreni dhe shihini, ju e dini më mirë historinë e partisë tuaj. Shiheni se përkon me rezolutat. Zgjoheni ju në 2022 dhe kujtoheni për Srebrenicën. Ju nuk keni lidhje, jeni gati t’i rivarrosni dhe t’i fusni në varrin masiv për t’u thënë kujt të mundni që socialistët nuk duan. Jeni gati ta bëni lëmsh politikën ndërkombëtare të Shqipërisë. E keni harruar ju që ai shtet i lirë sovran demokratit është krijuar nga ata pa të cilët as ju as ata në Prishtinë nuk duhet të bëjnë asnjë hap. Nëse ju bashkë me ata në Prishtinë doni t’i bëni, bëjini, ne nuk i bëjmë.
Përpara se për të zgjidhur problemet mes foltores dhe gojores, duhet dakordësia e ndërkombëtarëve. Zanafilla e raportit të Dick Marty-t është vota që i ka dhënë PD-ja në Këshillin e Europës. Dick Marty-t ia keni hapur rrugën ju. Hajdeni këtu dhe thoni çfarë mendoni për Hashim Thaçin. Përkundër votës së Shpëtim Idrizit dhe Damian Gjiknurit që votuan kundër. Thikat që i keni ngulur ju Kosovës ka qenë që ditën e parë. Ditën ia ngulët në gjoks Presidentit të Kosovës. Ju jeni në fakt thika në shpinën e Kosovës. Dhe këtij roli historik nuk keni për t’i shpëtuar kurrë. S’keni ç’i bëni gomarit që keni aty mbrapa dhe i bini samarit.” – tha Rama.