Qeveria gjermane dhe kompania e madhe e energjisë Uniper thuhet se janë afër një marrëveshjeje sipas së cilës shteti do të injektojë më shumë se 5 miliardë euro te biznesi në fjalë.
Zotimi i përgjithshëm ka të ngjarë të jetë deri në 10 miliardë euro, pretendon Bloomberg, duke cituar njerëz të njohur me këtë çështje.
Kjo mund të çojë që shteti të mbajë një aksion bllokues prej 30% në kompani. Shuma e saktë është ende duke u biseduar dhe një marrëveshje thuhet se mund të përmbyllet në ditët në vijim.
Uniper, një nga kompanitë më të mëdha të listuara publikisht të furnizimit me energji në Gjermani, aplikoi për mbështetje nga qeveria në fillim të këtij muaji.
Firma përmendi vështirësitë financiare të shkaktuara nga një rënie në furnizimin me gaz natyror nga Rusia si katalizator.
Gjiganti i energjisë po diskuton gjithashtu një hua të mundshme nga qeveria, thotë Bloomberg, duke shtuar se hollësitë mund të diskutohen në një takim me kancelarin Olaf Scholz të premten.