Drejtori i Postës së Dibrës dhe shefi i zyrës së Marketingut janë arrestuar nga policia e Dibrës pasi akuzohen për shpërdorim detyre.
Sipas prokurorisë ata dyshohet se janë përgjegjës për vjedhjen e pensioneve të qytetarëve në shuma të mëdha.
Në pranga kanë rënë 64-vjeçari Ilir Vraniçi dhe 64-vjeçari Xhevdet Doda ndërsa në kërkim është shpallur 33-vjeçari Gazmir Hasi, ish-punonjës i Postës në Kastriot të Dibrës.
Ky i fundit dyshohet se nëpërmjet firmave e dokumenteve të falsifikuara ka mundur të përfitojë një shumë prej 6 milionë lekësh ndërsa dy zyrtarët dyshohet se kanë pasur dijeni e me veprimet e mosveprimet e tyre kanë lejuar që kjo të ndodhë.
Njoftimi
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Dibër, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Delivery”.
Në kuadër të këtij operacioni u bë ndalimi dhe ekzekutimi i masave të sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit:
I.V., 64 vjeç, banues në Peshkopi, me detyrë kryetar i degës postare Dibër, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”;
Xh. D., 64 vjeç, banues në Peshkopi, me detyrë kryetar i Zyrës së Shërbimeve dhe Marketingut në degën e Postës Shqiptare në Dibër, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, i kanë shkaktuar degës postare Dibër, një dëm ekonomik në vlera të konsiderueshme monetare.
Gjithashtu është shpallur në kërkim dhe vijon puna për kapjen e shtetasit G. H., 33 vjeç banues në njësinë administrative Kastriot, ish-punonjës i shërbimit postar në njësinë administrative Kastriot, Dibër, për veprat penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën” dhe “Falsifikimi i dokumentave”, pasi dyshohet se ka vjedhur masat e pensionit dhe të ndihmës ekonomike, si dhe ka falsifikuar mandat-pagesat duke firmosur në emër të përfituesve.”