Vendosni fjalën kyçe....

Drejtori i Doganave përplaset me News 24: Irfan Hysnebelliu po më sulmon se ka marrë gjobë për fshehje të ardhurash


Mes Drejtorit të Përgjitshëm të Doganave dhe medias News 24 ka ndodhur një përplasje.

Përplasja ka nisur pasi prej 2 ditësh News24 dhe BalkanWeb po publikojnë disa dokumente që hedhin dyshime për implikimin e mundshëm të Gazhelit në emërime të personave me precedentë penalë në sektorë kyçë të doganave.

Sipas shkrimeve drejtori i hetimit në Drejtorinë e doganave Artur Sejati, si dhe për 3 zyrtarë të tjerë të lartë të cilët janë arrestuar në flagrancë në Greqi dhe më pas janë gjykuar nga gjykatat greke për vjedhje, grabitje, kontrabandë dhe grup i strukturuar kriminal janë promovuar në poste të larta.

Ditën e sotme ka reaguar vetë Gazheli i cili akuzon pronarin e mediave Irfan Hysenbelliu për sulm personal pasi biznesi i tij “Birra Tirana” ka marrë gjobë për fshehje të të ardhurave në një shumë të konsiderueshme.

Gazheli në reagimin e tij i bën thirrje Hysenbelliut se nën maskën e medias nuk mund t’i bëjnë shantazh shtetit.

Irfan Hysenbelliu është betuar që nuk do të m’i falë borxhet që i ka shtetit! Mediat e tij janë hedhur në një sulm personal me shpifje e fyerje personale, sapo “Birra Tirana” ka marrë gjobën e merituar sipas ligjit për fshehje të ardhurash në një shumë të konsiderueshme”, shkruan ndër të tjera Gazheli.

Drejtorit të Doganave i ka dalë në mbrojtje edhe Kryeministri Edi Rama i cili duke shpërndarë reagimin e tij bën pyetjen: “Si luftohet me shpifjen apo qoftë edhe me akuzat legjitime në këtë vend, kur jo vetëm media që shpif apo akuzon, po edhe mediat e tjera s’ia japin të drejtën e fjalës personit publik të akuzuar, nëse ky i fundit flet hapur për një shantazh nga një pronar mediash?!”