Vendosni fjalën kyçe....

Lejet mjedisore, KLSH: Agjencitë problem bazën e të dhënave, ‘injorojnë’ ankesat e qytetarëve për ndotje


Agjencitë rajonale mjedisore nuk kanë baza të dhënash të ndara sipas tipit të lejeve mjedisore që lëshojnë ndërkohë që u mungojnë edhe elementë të tjerë të lidhura me metodologjinë e llogaritjes së riskut apo frekuencat e inspektimit.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar këtë problematikë në të paktën tre agjenci rajonale të mjedisit si në Tiranë, Durrës dhe Dibër.

“Agjencia Rajonale e Mjedisit Tiranë, Durrës Dibër, nuk ka bazë të dhënash të subjekteve të pajisura me leje mjedisore, të ndara sipas tipit të tyre dhe ndikimeve që ato kanë në mjedis, mbi bazën e të cilave të hartojë programet vjetore dhe mujore të inspektimit bazuar mbi metodologjinë e vlerësimit të riskut. Në planifikimet vjetore e mujore dhe në inspektimet e kryera, nuk ka përfshirë një masë të konsiderueshme të subjekteve që ushtrojnë aktivitet në Qarkun e Tiranë Durrës Dibër, për 6/mujorin e dytë 2020, janë anuluar 36 inspektime pasi janë hedhur në sistem nga Titullari, autorizimet kanë të përfshira fusha të ndryshme të veprimtarisë së subjekteve të pajisura me leje mjedisore, në kundërshtim me ligjin”, thuhet në auditim.

Po ashtu, nuk ka metodologji konkrete për llogaritjen e riskut dhe frekuencën e inspektimit gjatë një viti të subjekteve që do të inspektohen.

Për këtë KLSH ka rekomanduar që të merren masa për krijimin e regjistrave të subjekteve që ushtrojnë aktivitet si dhe krijimin e dosjeve për çdo subjekt objekt inspektimi.

Po kështu “në programet vjetore dhe mujore të inspektimit të pasqyrohen dhe inspektorët që kryejnë inspektimet, të hartohen në bazë risku, ku të përcaktohet në detaje inspektimi, duke u nisur nga informacioni paraprak për të gjitha subjektet që ushtrojnë aktivitetet në Qark, në bashkëpunim me institucionet e qarkut si Drejtoria Rajonale e Tatimeve, QKB, Bashki e Njësi Administrative si dhe institucione të tjera që janë objekte të ndotjes dhe mbetjeve integrale”.

Mes shumë pikave të marra në auditim KLSH ka nënvizuar edhe faktin që në disa raste agjencitë rajonale nuk kanë kthyer përgjigje ndaj ankesave që kanë bërë qytetarët për raste të ndotjes mjedisore.

“Nga auditimi u konstatua se: për periudhën objekt auditimi në 15 raste nuk janë kthyer përgjigje, ankesave të ardhur nga qytetarë në lidhje me problematikat në lidhje me ndotjen e mjedisit, në të ligjit nr. 9154, date 06.11.2003 “ Për Arkivat” dhe Kreun e III-të “Njoftimet dhe afatet Kohore për bërjen e tyre, neni 56, detyrimi për tu njoftuar, neni 59 Afatet kohore për njoftim dhe afatet kohore për zbatimin e akteve administrative të Ligjit nr. 8485, datë 12.05.1999” Kodi Procedurës Administrative” me ligjin “Për të Drejtën e informimit“, vlerëson KLSH.

Për këtë është kërkuar që Drejtori i Agjencisë Rajonale të Mjedisit Tiranë, Durrës Dibër të marrë masa që të ngrejë grupe inspektimi për ato subjekte ndaj të cilave janë administruar ankesa nga qytetarët.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor