Vendosni fjalën kyçe....

Meta-Osmanit: Nga 25 korriku do bëj shumë më tepër për Kosovën


Presidenti Meta është zotuar se ga 25 korriku, kur i përfundon mandati si president i Shqipërisë do bëjë edhe më shumë për Kosovën.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me presidenten e Kosovës Osmani në Prishtinë, kreu i shtetit tha se nuk ka bërë sa duhet për Kosovën dhe do kishte bërë shumë më tepër nëse nuk do kishte pasur probleme në Shqipëri.

“Nuk pranoj asnjë falënderim sepse kam bërë detyrën kushtetuese por edhe morale siç e ka edhe çdo qytetar i Shqpërisë. E vetmja keqardhje është se mund të kisha bërë më shumë në përkrahjen e Kosovës nëse do kisha më pak probleme në vendin tim gjatë këtyre viteve. Nga 25 korriku, në mëngjes do bëj shumë më tepër për Kosovën, ju jap fjalën. Jam i bindur që edhe presidenti i ri i zgjedhur do e vijojë këtë traditë pozitive.” – tha Meta.

Presidentja e Kosovës Osmani më herët tha se orientimi i Kosovës është drejt BE-së dhe NATO-s dhe se Prishtinën dhe Tiranën i bashkojnë shumë gjëra por më shumë e ardhmja euroatlantike.

“Objektivi i qartë mbetet anëtarësimi i Kosovës në BE dhe NATO dhe po punojmë në këtë drejtim për të paraqitur kërkesën për statusin e vendit anëtar brenda vitit. Kosova e ka të qartë orientimin proeuropian. Kosovën e Shqopërinë i bashkon shumëçka po ajo që i bashkon edhe më shumë e ardhmja euroatlantike.” – tha Osmani.