Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani e ka cilësuar presidenti Meta një zë të fortë kundër përpjekjeve për ndarjen e Kosovës.
Në konferencën për shtyp në Prishtinë, ajo theksoi se presidenti i Shqipërisë e ka mbështetur vazhdimisht Kosovën dhe do vijojë ta bëjë këtë edhe në të ardhmen.
“Dua të uroj Shqipërinë që para pak ditësh së bashku me Maqedoninë e Veriut bënë një hap të rëndësishëm në procesin e integrimit evropian, në familjen evropiane, aty ku e ka vendin edhe Kosova. Zoti president keni qenë zëri ynë aty ku nuk jemi përfaqësuar. Në veçanti keni zë i fuqishëm kundër tendencave për ndarje të Kosovës dhe ndryshim kufijsh. Ide e aventura këto të rrezikshme, pasojat e të cilave po ndihen edhe sot, por të cilave bashkërisht u kemi dhënë fund. Ju i keni dhënë mbështetje Kosovës gjatë udhëheqjes suaj, dhe kemi pasur bashkëpunim të shkëlqyeshëm. Sërish do të vazhdoni të jeni zëri i Kosovës ku iu jepet mundësi. Miqësia e bashkëpunimi do të mbesin të përhershme. Është e nevojshme që marrëveshjet ndërqeveritare të zbatohen edhe në praktikë.” – tha Osmani.