Detaje të reja janë zbardhur nga atentati në Milot Milot ku mbeti i vdekur Klisman Preçi dhe u plagos rëndë Ylli Ibrahimi.
Sipas burimeve policore, ata kanë qenë duke lëvizur me një makinë fuoristradë të blinduar me targa të Shkupit.
Sapo kanë hyrë në rrugicën pranë banesave të tyre, në afërsi të qendrës së Milotit, u është zënë pritë nga persona të armatosur.
Dyshohet se tre karikatorë janë zbrazur në vendngjarje.
Një automjet “Audi” u gjet në flakë në Gramzë të Krujës brenda secilës ishin edhe dy kallashnikovë. Mjeti dyshohet se u përket autorëve të ngjarjes.
Ylli Brahimi 46 vjeç është nën kujdesin e mjekëve, ka marrë dëmtime në brinjë dhe në këmbë.
Brahimi i cili njohët për lidhjet me Ervis Martinaj, iu bë një atentat një vit më parë në Milot ndërsa Klisman Reçi vetëm 2 muaj më parë i shpëtoi një atentati së bashku me kushëririn e tij Blerim Reçi.
“Në qytet Milot, në sheshpushimin e një pallati, rreth orës 21:00, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit tip fuoristradë “Land Chrysler”, brenda të cilit ndodheshin shtetasit K. P., 28 vjeç dhe Y. B., 46 vjeç, banues në Kurbin, të cilët janë dërguar në Spitalin e Traumës, në Tiranë. Shtetasi K. P. ka ndërruar jetë.
Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë forca të shumta policie dhe grupi hetimor.
Gjithashtu, nga forcat policore të Komisariateve të Policisë Kurbin dhe Lezhë, me mbështetje edhe nga grupet e FNSH Shkodër, po bëhet krehja e zonës dhe janë ngritur pika kontrolli, me qëllim kapjen e autorit/ëve.
Janë ngritur pika kontrolli në Rrugën e Kombit, në drejtim të Matit, të Lezhës, të Tiranës dhe të Krujës.
Në fshatin Gramëz, rrethi Krujë, është konstatuar duke u djegur një automjet, që dyshohet se është automjeti i përdorur nga autori/ët për kryerjen e kësaj ngjarjeje kriminale. Nga kqyrja paraprake, brenda tij, janë gjetur 2 armë zjarri kallashnikov.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, vazhdon veprimet hetimore, duke administruar çdo provë, pamje filmike, informacion si dhe dëshmi, për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes“-njofton policia.