Ukraina duhet të ‘konfiskojë’ gazin rus nga tubacionet e tranzitit, ka argumentuar Dmitry Razumkov, ish-kryetari i Verkhovna Rada, parlamenti i vendit.
Rusia transporton një pjesë të gazit të saj në Evropën Perëndimore duke përdorur një rrugë, të krijuar gjatë epokës sovjetike, përmes Ukrainës.
Razumkov, i cili ishte kryetar i Radës midis 2019 dhe 2021, tha se gjendja e ekonomisë së Ukrainës është ‘afër një katastrofe’.
“Si vend tranzit, ne duhet të përmbushim detyrimet ndaj partnerëve tanë ndërkombëtarë. Por teprica e gazit rus duhet të konfiskohet në përputhje me ligjin dhe të derdhet në depot tona.” –shkroi Razumkov në një editorial për gazetën ‘Ukrainska Pravda’.
“Sepse ne kemi një gjendje paradoksale: ne pompojmë çdo ditë miliona metra kub gaz rus dhe nuk i mbushim depot tona në kapacitetin e kërkuar.” – shtoi ai.
Razumkov shtoi se qeveria dhe kompania shtetërore e naftës dhe gazit Naftogaz duhet të miratojnë një plan strategjik për të ‘siguruar sigurinë energjetike të Ukrainës’.
“Na pret një dimër i vështirë.” – paralajmëroi Razumkov, duke shtuar se ukrainasit mund të duhet ‘të mësohen të kenë një temperaturë 16 gradë në shtëpi’.
“Ne sot kemi vetëm 11 miliardë metra kub gaz. Është e paqartë se sa do të arrijë Ukraina të pompojë në depo deri në vjeshtë.” – tha ai.