Dogana Shqiptare ka reaguar insitucionalisht ndaj artikujve mediatikë të cilët përplasën grupin mediat News 24 me Drejtorin e Përgjithshëm Gent Gazheli dhe Kryeministrin Edi Rama.
Dogana në deklaratën e saj thotë se akuza është publikuar për herë të parë në vitin 2018 dhe më vit pas viti.
Katër punonjësit e doganës të cilët akuzohen se janë në kërkim në Greqi, sipas institucionit kanë dëshmi penaliteti të pastër dhe se nuk ka asnjë vendim gjykate që i ka dënuar ata për sa kohë edhe dëshmia e penalitetit në Greqi rezulton e pastër.
“Akuza e ditëve të fundit në media nuk është aspak risi. Kjo akuzë është publikuar për herë të parë në vitin 2018, më pas në 2020, 2021 dhe se fundi këto ditë.
Që në vitin 2018, kur akuza u ngrit për herë të parë, katër punonjësit e Drejtorisë së Doganave kanë depozituar pranë institucionit punëdhënës dëshmitë e pastra të penalitetit, marrë nga autoritetet greke dhe noterizuar në Shqipëri.
Sipas dokumentacionit të vitit 2016, katër punonjësit kanë qenë pjesë e një operacioni antikontrabandë, kur janë ndaluar nga autoritetet greke. Pas sqarimit të rrethanave dhe rolit të personave në fjalë ata janë lënë të lirë nga prokurorët dhe hetuesit fqinjë.
Në kushtet kur nga njëra anë nuk ka asnjë vendim gjykate që i dënon katër punonjësit e Drejtorisë së Doganave dhe për sa kohë dëshmia e penalitetit në shtetin grek është plotësisht e pastër, çështja në fjalë është mbyllur që në vitin 2018, pavarësisht spekulimeve mediatike që vazhdojnë here pas here”-thuhet në deklaratën e Doganës.