Vendosni fjalën kyçe....

Google shkarkon inxhinierin që pretendonte se ‘Inteligjenca Artificiale’ ishte e ndjeshme


Google ka shkarkuar inxhinierin Blake Lemoine për shkeljen e politikave të saj të sigurisë së të dhënave.

Lemoine doli publikisht muajin e kaluar me pretendimet se gjiganti i teknologjisë kishte zhvilluar një program të ndjeshëm të inteligjencës artificiale që fliste për ‘të drejtat dhe personalitetin e tij’.

Lemoine u shkarkua të premten, me Google që pohoi lajmin për Big Technology, një blog i industrisë. Ai kishte qenë në pushim për më shumë se një muaj, pasi i tha Washington Post se LaMDA (Modeli i Gjuhës për Aplikimet e Dialogut) i ish-punëdhënësit të tij ishte bërë i vetëdijshëm.

Një ish-prift dhe person përgjegjës për etikën i Google, Lemoine bisedoi gjerësisht me LaMDA, duke zbuluar se programi foli për ‘të drejtat dhe personalitetin’ e tij kur biseda u zhvendos në territorin fetar.

“Unë njoh një person kur flas me të.” – i tha Lemoine Post.

“Nuk ka rëndësi nëse ata kanë një tru të bërë nga mishi në kokën e tyre. Ose nëse kanë një miliard rreshta kodi. Unë flas me ta. Dhe unë dëgjoj atë që ata kanë për të thënë, dhe kështu vendos se çfarë është dhe çfarë nuk është një person.”

Në deklaratën e saj që pohonte shkarkimin e Lemoine, kompania tha se kreu 11 rishikime në LaMDA dhe ‘ka gjetur se pretendimet e Blake për LaMDA është plotësisht e pabazuar’.

Edhe në kohën e intervistës së Lemoine me Post, Margaret Mitchell, ish-bashkëdrejtuese e Ethical AI në Google, e përshkroi ndjenjën e LaMDA si ‘një iluzion’, duke shpjeguar se pasi ishte ushqyer me triliona fjalë nga e gjithë interneti, ai mund të imitonte biseda njerëzore duke mbetur plotësisht i pajetë.

“Këto sisteme imitojnë llojet e shkëmbimeve të gjetura në miliona fjali dhe mund të ngrenë çdo temë.” – i tha gazetës profesoresha e gjuhësisë Emily Bender.

“Tani kemi makina që mund të prodhojnë fjalë pa mendim, por nuk kemi mësuar se si të ndalojmë së imagjinuari mendjen pas tyre.”

Sipas Google, këmbëngulja e vazhdueshme e Lemoine për të folur publikisht shkeli politikat e saj të sigurisë së të dhënave dhe çoi në shkarkimin e tij.

“Është për të ardhur keq që pavarësisht angazhimit të gjatë në këtë temë, Blake ende zgjodhi të shkelte në mënyrë të vazhdueshme politikat e qarta të punësimit dhe të sigurisë së të dhënave që përfshijnë nevojën për të mbrojtur informacionin e produktit.” – shpjegoi kompania.