Vendosni fjalën kyçe....

Kërkohen në vendin e tyre, arrestohen në Shëngjin dy finlandezët


 

Dy shtetas finlandezë që ishin shpallur në kërkim në vendin e tyre për trafik droge janë arrestuar në Shëngjin.

Në pranga kanë rënë 30-vjeçari me iniciale K.U. dhe 32-vjeçari me iniciale L.H. banues në Finlandë.

Pas arrestimit ata do ekstradohen drejt Finlandës.

Njoftimi

“Vijon bashkëpunimi i ngushtë i strukturave të Policisë së Shtetit me homologët, për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Finalizohet operacioni policor ndërkombëtar i koduar “Manhunt”.

Operacioni, nga Fast Albania, në bashkëpunim të ngushtë me FAST Finland, Interpolin e të dy vendeve dhe DVP Lezhë. Kapen dhe arrestohen, me qëllim ekstradimi, 2 shtetas finlandez, të shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike të forta dhe sintetike”.

Falë bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit në kohë, ndërmjet FAST Albania dhe FAST Finland, për vendndodhjen e dy shtetasve finlandez në kërkim ndërkombëtar, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor ndërkombëtar i koduar “Manhunt”.

Si rezultat i këtij operacioni, në Shëngjin, Lezhë, u bë e mundur kapja e shtetasve:

– K. U., 30 vjeçe, dhe L. H., 32 vjeç, të dy banues në Finlandë.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese finlandeze, vijon punën për ekstradimin e këtyre shtetasve drejt Finlandës. Ky operacion tregoi rëndësinë e krijimit të strukturës policore FAST Albania, si dhe profesionalizmin dhe besueshmërinë e strukturave të Policisë së Shtetit, për të vepruar si të barabartë me homologët.”