Vendosni fjalën kyçe....

OBSH shpall linë e majmunit emergjencë globale


Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaroi të shtunën përhapjen globale të lisë së majmunëve një ‘Emergjencë të Shëndetit Publik të Shqetësimit Ndërkombëtar’, një nivel nën statusin e pandemisë që i është caktuar Covid-19. Tashmë janë regjistruar 16,000 raste në 75 vende, tha drejtori i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Përhapja e lisë së majmunëve, e cila filloi mes meshkujve homoseksualë në Evropë në maj, është shpërthimi i parë i sëmundjes që etiketohet si një emergjencë e shëndetit publik nga OBSH që nga Covid-19 në janar 2020, dy muaj përpara se ky i fundit të shpallej një pandemi globale nga organizata.

“Ne kemi një shpërthim që është përhapur në mbarë botën me shpejtësi, përmes mënyrave të reja të transmetimit, për të cilat ne dimë shumë pak.” – tha Tedros pas një diskutimi me komitetin e urgjencës të OBSH-së.

Duke treguar përhapjen e lisë së majmunëve në vendet ku tradicionalisht nuk gjendet, si dhe rrezikun e saj për shëndetin e njeriut, Tedros shtoi se ‘për të gjitha këto arsye, kam vendosur që shpërthimi global i lisë së majmunëve përfaqëson një emergjencë të shëndetit publik me shqetësim ndërkombëtar’.

Lija e majmunëve është e ngjashme me linë e njeriut, e cila u zhduk në vitin 1980 dhe është endemike në pjesë të Afrikës perëndimore dhe qendrore. Simptomat e saj fillestare përfshijnë ethe, dhimbje koke, dhimbje muskujsh, dhimbje shpine, ënjtje të nyjeve limfatike, të dridhura dhe rraskapitje, dhe të prekurit zhvillojnë lezione të veçanta të lëkurës.

Rastet e para evropiane ndodhën pothuajse ekskluzivisht te meshkujt homoseksualë dhe biseksualë, me zyrtarët shëndetësorë që vunë re se lezione po shfaqeshin në organet gjenitale të pacientëve. Ndërsa është e paqartë nëse shpërthimi aktual po përhapet vetëm përmes kontaktit seksual, Tedros deklaroi se ‘ky është një shpërthim që është i përqendruar tek burrat që bëjnë seks me burra, veçanërisht ata me partnerë të shumtë seksualë’.

Tedros u bëri thirrje grupeve që përfaqësojnë meshkujt homoseksualë që ‘të miratojnë masa që mbrojnë shëndetin, të drejtat e njeriut dhe dinjitetin e komuniteteve të prekura’, megjithëse shefi i OBSH-së nuk u bëri thirrje këtyre burrave që të heqin dorë nga aktiviteti seksual.

Një vaksinë e kombinuar për linë dhe linë e majmunëve është në prodhim dhe është shpërndarë në qytetet kryesore në SHBA, MB dhe disa vende evropiane.

Megjithëse disa lloje afrikane të lisë së majmunit mund të vrasin 3-6% të atyre që infektojnë, shpërthimi aktual duket dukshëm më i butë. Sipas Tedros, sëmundja ka vrarë vetëm pesë njerëz në mbarë botën deri më tani.