Kryeministri Edi Rama gjatë bilancit me kryebashkiakët e Qarkut të Vlorës ka vënë në dukje çmimin e lartë të dhomave të hotelit për një natë.
Ai e quajti të palogjikshme çmimet që shkojnë 200-300 euro për një natë duke thënë se më lehtë shkohet në Greqi apo Kroaci se sa në Dhërmi.
Sipas Ramës shërbimet shqiptare janë ende larg për cilësi për të ofruar çmime të larta.
Ai ka kërkuar ndihmën e bashkive që të luajnë një rol mbi çmimin e shezlongëve duke marrë shembullin që në plazhet e Lezhës është vënë një çmim tavan.
“Ekonomia ndikohet nga marrëzia e vendosjes së çmimeve, që e bëjnë shumë më të lehtë të shkosh në Greqi, Mal të Zi apo Kroaci se sa të rrish në Dhërmi. Vërtetë është i mrekullueshëm Dhërmiu, por jemi ende larg për të garantuar cilësi shërbimesh. ata që garantojnë të cilësi ti kenë çmime më të ulta, se sa dikush që hap një derë dhe i kërcet 200-300 euro nata, është e palogjikshme. Të shohësh hartën e frekuentimit ka kontradikta të forta përgjatë listës. Nuk është as faj as kompetenca juaj, por një rol duhet ta merrni përsipër. Lezha ka vënë një çmim tavan, pasi nuk mund të rritet çmimi i çadrave përtej tavanit. Është stërplot në Lezhë. Po të shohësh flamujt e vendeve të ndryshme që janë shtuar në grupin e turistëve në atë zonë, e kupton se gjëja duhet se ka një balancë mes asaj që ofron dhe asaj që paguan. Dua të nënvizoj nevojën për t’u fokusuar më shumë te përmbajtja e sezonit nga pikëpamja artistike. Jemi në mangësi në ofertën për fëmijët. Kjo është më evidentja.”, tha Rama.