Vendosni fjalën kyçe....

Sa herë shpërthejnë skandalet e qeverisë del një “non grata” për Berishën


Nga Klodian Tomorri

Shpërthen skandali i inceneratorëve, fillojnë të ekspozohen faktet tronditëse se si është vjedhur populli me firma të gjallësh dhe të vdekurish, opa i vjen telegram nga Londra, Berishës. Harrohen inceneratorët dhe pleqtë miliarderë të azileve.

Shpërthen skandali i AKSHI-t, fillojnë të ekspozohen të dhënat e para për tenderët në rrethet e ngushta nepotike del prapë Non Grata. Nuk e ka më njeri mendjen tek AKSHI.

Mësyn hordhia e investitorëve strategjike të oborrit, që pushton territore të tëra në bregdet si konkuistadoret e Amerikës Latine, vjen ndonjë ferman tjetër për opozitën. Masakra strategjike në bregdet vazhdon.

Edhe unë mendoj se Berisha duhet të kishte ikur. Por ai nuk ikën. Nuk ikën sepse nuk do të ikë dhe nuk ikën sepse ata që kanë në dorë ta heqin nuk duan që të ikë. Dhe këta nuk janë dy apo tre veta që po e mbajnë Berishën aty me forcë duke dhunuar të tjerët. Janë pjesa dërrmuese e 600 e ca mijë demokratëve që e votojnë. Demokraci me komandim nuk bëhet dot.

Zgjidhja tjetër është drejtësia. As këtë nuk po e bëjnë. Këta të Spakut pse nuk hetojnë me themel? Nëse ka fakte që ka bërë korrupsion apo ka lidhje me bandat ta çojnë përpara ligjit. Nëse nuk ka, të thonë që është i pafajshëm dhe kjo punë të mbyllet një herë e mirë. Se kjo lloj agonie pa fund nuk po dëmton vetëm PD-në. Po dëmton Shqipërinë në radhë të parë.

Kjo është shumë e trishtë. Edi Rama është ndër të paktet udhëheqës në botë që ka patur luksin të qeverisë 8 vjet me opozitë të dobët. Tani dashur pa dashur po i krijohet serish i njëjti fat. Edhe Papa, po të rrinte 9 vjet në Vatikan pa ndonjë klan rival kardinalësh, do ishte bërë hajdut. Ose të paktën do tundohej. Tani llogariteni vetë.