Vendosni fjalën kyçe....

YouTube shpall censurën e abortit


Youtube që është në pronësi të Google, njoftoi të enjten se ka shtuar abortin në listën e temave shëndetësore dhe mjekësore që i nënshtrohen politikës së tij të ‘dezinformimit’, e cila përfshin vaksinat dhe formulat për fëmijë.

Videot që përmbajnë informacion të rremë rreth metodave të abortit të deklaruara të sigurta nga autoritetet, si dhe ato që promovojnë metoda ‘alternative’, do hiqen sipas ndryshimit të politikës.

“Duke filluar nga sot dhe duke u rritur gjatë javëve të ardhshme, ne do heqim përmbajtjen që ofron udhëzime për metoda të pasigurta aborti ose promovon pretendime të rreme për sigurinë e abortit sipas politikave tona të dezinformimit mjekësor.” – njoftoi kompania përmes Twitter.

Politikat e YouTube për çështjet shëndetësore dhe mjekësore ‘bazohen në udhëzimet e publikuara nga autoritetet shëndetësore’ dhe i japin përparësi ‘lidhjes së njerëzve me përmbajtjen nga burime autoritare për tema shëndetësore’, tha kompania.

Në vijim, videot dhe rezultatet e kërkimit që kanë të bëjnë me temën e abortit do të etiketohen me ‘një panel informacioni që u ofron shikuesve kontekstin dhe informacionin nga autoritetet shëndetësore lokale dhe globale’.

“Aborti është një procedurë për t’i dhënë fund shtatzënisë.” – thotë teksti në panel në pamjen e ekranit të shpërndarë nga YouTube, duke përdorur një përkufizim nga Biblioteka Kombëtare e Mjekësisë.

“Përdor ilaçe ose kirurgji për të hequr embrionin ose fetusin dhe placentën nga mitra. Procedura kryhet nga një profesionist i licencuar i kujdesit shëndetësor.”

YouTube ka përdorur më parë politikën e tij të dezinformimit për të ndaluar ‘përmbajtjen që bie ndesh me udhëzimet e autoriteteve shëndetësore lokale ose të OBSH’ për sigurinë e vaksinave, kryesisht në lidhje me pandeminë Covid-19.

Në fillim të këtij viti, ata shtuan promovimin e ‘formulave alternative për foshnjat në vend të qumështit të gjirit ose formulave komerciale’ në listë, mes mungesave të përhapura në SHBA.

Që nga e enjtja, politika është përditësuar për të përfshirë ‘nxitjen e metodave alternative të abortit’ në vend të ‘metodave kimike dhe kirurgjikale të abortit që konsiderohen të sigurta nga autoritetet shëndetësore’.

Njoftimi i YouTube vjen pothuajse një muaj pasi Gjykata e Lartë e SHBA përmbysi vendimin e 1973 ‘Roe kundër Wade’, i cili e kishte përcaktuar abortin si pjesë të së drejtës së mbrojtur me Kushtetutë për privatësi.

Ligjshmëria e procedurës tani varet nga shtetet individuale të SHBA-së. Ndërsa një numër shtetesh me shumicë republikane e kanë ndaluar tashmë procedurën, demokratët kanë propozuar miratimin e një ligji federal që do ta bënte atë të ligjshëm kudo.