Gati 1200 emigrantë pa dokumente kanë mbërritur në Itali gjatë 24 orëve të fundit, thonë autoritetet italiane.
Emigrantët, të cilët vijnë nga disa vende afrikane dhe të Lindjes së Mesme, zbarkuan në disa porte në Siçili.
Zyrtarët thonë se 674 njerëz u shpëtuan dhe pesë trupa të pajetë u gjetën nga një varkë peshkimi e mbipopulluar në brigjet e Kalabrisë.
522 persona të tjerë të shpëtuar nga rreth 15 varka u sollën në Lampedusa të shtunën.
Siç shkruan BBC, anijet ishin nisur nga Libia dhe Tunizia. Lampedusa është një nga portet kryesore të mbërritjes për njerëzit që duan të arrijnë Evropën.
Mes të shpëtuarve janë emigrantë nga Afganistani, Pakistani, Sudani, Etiopia dhe Somalia.
Sipas mediave italiane, qendra e emigracionit në ishull është mbingarkuar nga një rritje e madhe e zbarkimeve javët e fundit. Agjencia e lajmeve “Ansa” raporton se qendra është shumë më e madhe se kapaciteti i saj prej 350 personash, me rreth 1 mijë e 184 persona që mbahen aktualisht në vend.
Roja Bregdetare dhe organizatat joqeveritare shpëtojnë qindra të tjerë në ankth çdo vit nga deti.
Mesdheu është një nga rrugët më të rrezikshme për migrimin klandestin. Sipas Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) rreth 3 mijë e 231 persona u regjistruan si të vdekur ose të zhdukur në Mesdhe dhe në Atlantikun veriperëndimor në vitin 2021.